English

Sulmi ndaj opozitës si një ilaç për të mbuluar dështimet

Kryeministri i vendit Sali Berisha ka replikuar në distancë me ambasadorin e SHBA John Withers, i cili vlerësoi sot se vendi gjendet në krizë qeverisje. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar Berisha tha se vendi ka arritje cilësore, ndërsa ambasadori Withers e vlerësoi situatën politike si një krizë e fortë qeverisjeje. Ambasadori amerikan i bëri këto komente në prani të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe nënkryetarit të KLD Kreshnik Spahiu, ku gjeti rastin të shprehte pakënaqësinë e tij për rrëzimin politik të kandidaturës së Vangjel Kostës nga Gjykata Kushtetuese

Nga Mero Baze*

Kryeministri Berisha po përpiqet të minimizojë bilancin e fitores politike të opozitës për transparencën e zgjedhjeve, duke tentuar të fitojë kohë për propagandë dhe dritën jeshile për liberalizimin e vizave që pritet të jepet në datën 2 Qershor në Samitin e Sarajevës.

Për herë të parë, Berisha është përpjekur sot t’u shpjegohet deputetëve të PD-së rreth hetimit të materialeve zgjedhore nga opozita, ndërkohë që këtë kërkesë e ka refuzuar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionin e Ligjeve kur ia ka kërkuar opozita. Për ta mbuluar dorëzimin e tij, Berisha po përpiqet të rrisë nervozizmin e opozitës duke folur për djegie të fletëve të votimit apo procedura të tjera antiligjore.

Në të vërtetë, që nga koha kur Berisha e konsideronte transparencën e zgjedhjeve, objekt të debatit brenda opozitës e deri tek dorëzimi i tij për të hetuar materialet zgjedhore dhe interpretim ligjor për hapje të kutive, ka një humbje të madhe të besueshmërisë së tij në këtë debat.

Ndryshim të madh ka po ashtu dhe mënyra se si Berisha po përgatitet të pranojë hetimin e plotë. Nëse i hedh një sy shumicës së medias që është nën kontrollin e Berishës, po fokusohen tek ideja se opozita nuk arriti asgjë nga protesta. Më të zellshëm për ta artikuluar këtë natyrisht janë ish-kritikë të Ramës brenda PS, të cilët janë të humburit e mëdhenj nga kjo betejë.

Të frikësuar se mos Berisha toleron kërkesat e opozitës, kritikët e Ramës, ngjajnë më radikalë se dhe vetë Berisha kundër kërkesave të opozitës. Po të shikosh fjalorin e Kastriot Islamit apo nervozizmin, me të cilin Blushi përshkruan betejën e opozitës, duket sikur shpëtimi për ta vjen nga vendosmëria e Berishës për të mos lejuar hapjen e kutive.

Në një kafe me gazetarë afër tij, në hotel Rogner, mes të cilëve gjendej dhe zoti Islami para nisjes për në Strasburg, kërkesa e vetme që kishte Kastriot Islami për kryeministrin e vendit, ishte të mos toleronte asnjë kërkesë të Edi Ramës.

Berisha e siguroi sipas gazetarëve në takim se do t’i jepte një gotë verë më shumë, po asgjë tjetër. Ky dorëzim kaq pa kushte i kritikëve të Edi Ramës te zoti Berisha dhe vazhdimi i përdorimit të tyre prej tij, janë sinjale se qeveria po harxhon më shumë energji për të shkatërruar opozitën se sa për të qeverisur vendin.

Kjo duket se e ka detyruar sot dhe ambasadorin e SHBA në Tiranë, John Withers të flasë hapur për një krizë qeverisjeje në vend. Dhe po të kemi parasysh se krizat e qeverisjes i zgjidhin vetëm zgjedhjet e parakohshme, kuptohet qartë përse Berisha po investohet kaq shumë për të mbuluar dështimin e tij te beteja kundër opozitës.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE