Superliga-Merkato/ Golashënuesit Nora Dhe Memelli Në Qendër Të Merkatos Verore
TIRANË, 24 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Me përfundimin e kampionatit shqiptar të futbollit ka filluar merkato verore, e cila që në ditët e para të saj ka përfshirë dy nga sulmuesit kryesorë shqiptarë.
Arlind Nora, golashënuesi më i mirë i Laçit, me 14 gola në sezonin historik të kurbinasve, të kurorëzuar me pjesëmarrjen e parë në Ligën e Europës, ka oferta nga Azerabajxhani dhe Turqia. Nora pritet të jetë një nga lojtarët kryesorë të Laçit në Kupat e Evropës dhe më pas mund të largohet në një kampionat të huaj.
Ndërkohë, një tjetër lojtar që kërkohet shumë në këtë merkato verore, është edhe sulmuesi pogradecar i Flamurtarit, Migen Memelli. Para pak ditësh, Migen Memelli ishtë për një testim disa ditor në Qipro, por refuzoi një kontratë 2-vjeçare prej 230 mijë eurosh me Alki Larnaka.
Golashënuesi më i mirë i vlonjatëve gjatë sezonit të kaluar kërkoi 100 mijë euro në sezon, ndërsa Flamurtari ofron 70 mijë euro në sezon për Migen Memellin,
Në fakt, golashënuesi më i mirë i sezonit 2008-2009 (22 gola, kur luante me Tiranën), ishte dhe lojtari që shpëtoi Flamurtarin nga rënia e sigurt. 14 golat e Memellit ishin shumë të rëndësishëm në betejën e vlonjatëve për vazhdimësinë në Kategorinë Superiore.
Gjithsesi pritet që këta dy lojtarë të "ndezin" merkaton verore të Superligës, pasi që në ditët e para klubet e tyre kanë marrë oferta nga skuada vendase dhe të huaja./s.s./