English

Topi dekoron piktorin Lin Delija

Tiranë, 24 maj, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin “Nderi i Kombit” piktorin e shquar shqiptar, Lin Delija. Dekorimi për piktorin e njohur u dha pas vdekjes me motivacionin: “Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë.

Artistit autentik dhe përfaqësues në botë, i cili shndërroi temën shqiptare në vlerë universale, artin e tij në trashëgimi të përjetshme dhe urë komunikimi mes popujve”.

Ceremonia e dekorimit u zhvillua në Presidencë, ku ishin të ftuar personalitete të larta të artit dhe të kulturës në vend, kolegë, miq e të afërm të piktorit, si dhe ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia.

Gjatë ceremonisë zyrtare të dekorimit, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, vëllait të artistit të ndjerë, Aleksandër Delija, iu dorëzua nga Presidenti urdhri i lartë. Kreu i shtetit vlerësoi veprimtarinë e tij, duke e cilësuar atë me vlera të rralla artistike e krijuese.

“Lin Delija ka marrë kudo me vete Shqipërinë e tij! Që kur jam njohur pjesërisht me veprën e këtij piktori, më ka bërë përshtypje mjedisi që ai krijon. Ai është i mbushur me elementë shqiptare plot shenja intime të veshjeve, detajeve etnografike dhe vetë fytyrave karakteristike. Gjithkund, në rrugëtimin e gjatë ka marrë me vete edhe kujtesën e kombit!”, u shpreh Topi gjatë fjalës së tij.

m.xh/NOA

KOMENTE