English

Vlorë: Amantia, Festa E Përvitshme Rikthen Traditën

VLORË, 24 maj /ATSH-H.Koçi/ - Në qytetin antik të Amantias, 40 km në verilindje të Vlorës, u zhvilluan të dielën lojrat olimpike, një aktivitet që është shndërruar në traditë të përvitshme që përkon me festën e zonës. E festuar prej dekadash, por e ndërprerë në vitin 1975, festa është rikthyer në vitin 1990, ku zhvillohen lojëra sportive dhe shfaqen koncerte, me qëllim evokimin dhe ruajtjen e traditave. Sivjet, ndodheshin qindra banorë nga fshatrat e zonës, por dhe nga Vlora, Tirana, Berati, e qytete të tjera të Shqipërisë etj. Drejtori i Parkut Arkeologjik të Amantias, Gëzim Llojdia foli rreth botimit mbi historinë e Amantias, në të cilin përmblidhen fakte të rëndësishme për historinë e arkeologjinë e zonës. Festimet përfshinë këngë, valle dhe takime sportive, ku ishin ftuar këngëtari Hysni Zela dhe grupi i Lapardhasë, grupi lab "Jehona labe", ndërsa u zhvillua dhe minikampionati i futbollit amator, me kupën "Amantia". Kryeplaku i fshatit Ploçë, pranë të cilit ndodhet qyteza antike, Adriatik Brahimaj, banorë e të tjerë me origjinë prej zonës, vlerësuan dimensionet e Amantias dhe kërkuan më tepër kujdes për mirëmbajtjen e saj, përfshirë edhe rindërtimin e rrugës që lidh fshatin me qytezën antike, një nga ngulimet më të lashta me vlera kulturore, historike e arkeologjike të shqiptarëve. Qyteti antik i Amantias, emri i të cilit për herë të parë përmendet në shek. IV p.e.s, ndodhet në faqen e një kodre të lartë, i fortifikuar me një mur rrethues me gjatësi 2200 m. Në shek. III p.e.s. qyteti u fuqizua ekonomikisht dhe arriti të presë dhe monedhat e veta. Fuqinë e Amantias e dëshmojnë ndërtimi i tempullit të Afërditës, rrënojat e një teatri dhe veçanërisht stadiumi, që është ruajtur i plotë deri në ditët tona./ch/
KOMENTE