Withers: Interesi I Kombit Mbi Gjithçka
A
- Shprehet para gazetarëve ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers -
TIRANË, 24 Maj /ATSH, Mira Shkurta /- "Forcat politike në vend duhet të mendojnë për të mirën e vendit. Me një vullnet të mirë politik, besoj se situata politike në Shqipëri mund të rregullohet", u shpreh sot para gazetarëve Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers.
Sipas tij, "të dy forcat politike më të mëdha duhet të mendohen për të mirën e vendit".
Ambasadori Withers foli sot rreth situatës politike në vend në seminarin "Mediat dhe gjyqesori", e organizuar nga Ambasada Amerikane së bashku me Institutin e Medias, ku ndodheshin dhe kryeprokurorja, Ina Rama dhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu.
Ambasadori Withers deklaroi se "e rëndësishme eshtë se sistemi politik duhet ta rivendosë veten në punë, sepse ka shumë probleme, me të cilat përballet Shqipëria, probleme urgjente, të cilat ndikojnë në qenien e këtij populli. Dhe përsa kohë vazhdojnë e zgjasin këto mospajtime, aftësia e drejtuesve për t'u marrë me këto probleme është ndërprerë. Kështu që me një vullnet politik, unë besoj që kjo situatë mund të rregullohet".
"Bashkimi Europian ka nisur një nismë shumë të rëndësishme lidhur me zgjidhjen e kësaj situate. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e përkrah këtë nismë plotesisht dhe nuk ka asnjë ndryshim midis nismës së BE-së dhe nismës së SHBA. Është krejtësisht thelbësore, që lufta e brendshme politike të ndërpritet dhe interesi i kombit të vihet mbi gjithçka", tha diplomati amerikan. /a.ke/