Shkup, 25 Maj, NOA - Anketa e të përditshmes maqedonase “Dnevnik” ka nxjerrë në sipërfaqe dallimet e mëdha midis maqedonasve dhe shqiptarëve, lidhur me ecurinë e Maqedonisë dhe problemet e saj.
Në këtë anketë të realizuar janë shprehur dallime të mëdha midis shqiptarëve dhe maqedonasve.
Në pyetjen se në rast se nuk zgjidhet kontesti i emrit, a do të vihet në pikëpyetje ekzistenca e Maqedonisë, 56 për qind e shqiptarëve kanë dhënë përgjigje pozitive, ndërsa 30 për qind e maqedonasve përgjigje të kundërt, se nuk vihet në pikëpyetje ekzistimi i vendit.
Në pyetjen se sa mbështetet politika e kryeministrit Nikolla Gruevski lidhur me kontestin e emrit me Greqinë, 61 për qind e maqedonasve janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 77 për qind të shqiptarëve janë deklaruar kundër politikës së tij.
Por lidhur me organizimin e referendumit për emrin, dy etnitetet e mëdha kanë shprehur gatishmëri pozitive.
“Në lidhje me referendumin shumica u shprehën se duhet të ketë referendum. Për ne befasi e vogël ishte ajo se shumica e popullatës shqiptare dëshiron të ketë referendum”, theksoi kryeredaktori i gazetës, Sasho Kokallanov.
Zgjidhja në të cilën emrit kushtetues do t’i shtohej përcaktimi gjeografik, me çka do të garantohej identiteti maqedonas dhe do t’i siguronte vendit anëtarësim në NATO dhe BE, është i pranueshëm për vetëm 32 për qind të maqedonasve dhe 77 për qind të shqiptarëve. Megjithatë përcaktimi “veriore” mbetet më e pranueshme, por vetëm nëse qëndron në kllapa pas emrit Republika e Maqedonisë. Përcaktimet si “Maqedonia e Epërme” dhe “e Vardarit” nuk kanë përkrahje tek qytetarët.
Anketa është realizuar në bashkëpunim me agjencinë për hulumtimin e opinionit publik “Rejting” përmes telefonit prej datës 15 deri 18 të këtij muaji, me 1080 qytetarë.
NOA/INA