Tiranë, 25 maj, NOA – Pavarësisht vlerësimeve për hyrjen e opozitës në Kuvend dhe nisjen e një dialogu mes palëve, zhvillimet e djeshme në seancën parlamentare kanë zhgënjyer ndërkombëtarët.
Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch dhe ambasadori i KE-së, Helmut Lohan në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile janë shprehur të zhgënjyer për incidentin e ndodhur dje Parlament.
Dy përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare kanë deklaruar se palët duhet të kuptojnë se Kuvendi është një institucion ku bëhet debat.
Ambasadorët i janë referuar incidentit të ndodhur mes deputetit të PS-së, Tom Doshi dhe atij të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri.
“Ajo që kemi thënë dhe më parë që parlamenti është vendi për debat politik. Në vend që ata ta përdorin atë për debat politik e përdorin për të fyer njëri-tjetrin. Nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë, e theksoj dhe njëherë, Parlamenti përdoret për debate politike dhe asgjë tjetër”, ka thënë ambasadori i OSBE-së, Bosch.
m.xh/NOA