English

Bosch: Parlamenti, Vendi I Debatit Dhe Jo I Fyerjes Së Kundërshtarit

TIRANË, 25 Maj/ATSH-Anila Struga/.- "Parlamenti është vendi i debatit politik dhe jam i zhgënjyer që disa njerëz nuk e kanë kuptuar ende një gjë të tillë dhe mundohen ta përdorin debatin për të fyer kundërshtarin e tyre politik", tha sot në një prononcim për mediat Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. I pyetur për seancën e djeshme parlamentare, ku opozita u rikthye në Kuvend pas një bojkoti të zgjatur, Ambasadori Bosch u shpreh se "jam i lumtur që i pashë palët në parlament për një sesion normal parlamentar". "Është ajo që kemi thënë më parë, se parlamenti është vendi për debatin politik dhe për këtë jam ende i zhgënjyer që disa njerëz nuk e kanë kuptuar akoma këtë, duke u munduar ta përdorin këtë debat për të fyer kundërshtarin e tyre politik. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, ndaj dhe dua ta përsëris se parlamenti është vetëm për debat politik dhe për asgjë tjetër", u shpreh Ambasadori i OSBE-së në Tiranë. Deklarata e ambasadori Bosch u bë pas punimeve të një konference për shoqërinë civile mbajtur sot paradite në Hotel Tirana Internacional. /a.ke/
KOMENTE