English

Clinton: Letra Zyrtare E Iranit Drejt Iaea-Së Nuk Zgjidh Shqetësimet Ndërkombëtare

PEKIN, 25 maj /ATSH-AFP/ - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton e cilësoi plot me ''mangësi", sot letrën përmes të cilës Irani ka informuar Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), mbi marrëveshjen e arritur me Turqinë dhe Brazilin për shkëmbimin e uraniumit dhe shtoi se ajo nuk zgjidh shqetësimet ndërkombëtare. "Ka një numër të konsiderueshëm mangësish të cilat nuk u minimizojnë shqetësimet e komuniteti ndërkombëtar", deklaroi Clinton, pas dialogut strategjik dhe ekonomik Uashington-Pekin që u zhvillua përgjatë dy ditëve në kryeqytetin kinez. Një delegacion diplomatësh iranianë dorëzuan dje në IAEA një letër përmes të cilës organizata informohej zyrtarisht lidhur me marrëveshjen bërthamore trepalëshe Iran-Turqi-Brazil. Marrëveshja, e nënshkruar më 17 maj në Teheran, parashikon që shkëmbimi të ndodhë në territor turk i 1 200 kilogramëve të uraniumit iranian të pasuruar lehtësisht deri në 3.5 për qind kundrejt 120 kilogramëve të lëndës djegëse bërthamore të pasuruar deri në 20 për qind të siguruar nga fuqitë e mëdha dhe të destinuar për reaktorin e kërkimeve mjekësore të Teheranit. Më këtë marrëveshje, Republika Islamike po përpiqet t'i japë garanci komuniteti ndërkombëtar lidhur me programin e saj bërthamor. Pavarësisht mohimeve të regjimit islamik iranian, i cili ka deklaruar herë pas here se programi i tij bërthamor është tërësisht civil dhe paqësor, fuqitë e mëdha dhe OKB-ja besojnë se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore./ /i.p/
KOMENTE