Biloxi, 25 Maj, NOA - Në Gjirin e Meksikës që prej shpërthimit të Deepwater Horizon në 20 prill, çdo ditë vërshojnë rreth 800 mijë litra naftë. Qilimi i naftës po u afrohet rajoneve bregdetare, të cilat shpesh jetojnë nga turizmi, si Biloxi.
Pak minuta larg plazheve të bardha me rërë të Biloxit, Bob Mahoney ka një shtëpi, e cila është ndërtuar në kohën e kolonizatorëve francezë, një restorant me specialitete.
"Ne kemi qenë gjithmonë Meka e turizmit, ndoshta që në shekullin e 19-të. Te ne vijnë njerëz nga Veriu, të cilët në dimër duan të luajnë golf. Edhe pranvera dhe vjeshta janë shumë tërheqëse këtu".
Në anën tjetër të rrugës syri të zë njërin hotel pas tjetrit. Shumica janë edhe kazino. Pranë hyrjeve shkëlqejnë reklamat me dritë. Por numri i vizitorëve po pakësohet. Shkaku: një qilim gjigant nafte prej rreth 20 miljesh po i afrohet bregdetit të Biloxit. Prandaj Bob Mahoney është i shqetësuar:
"Kjo do t'u fusë frikën njerëzve, që thonë: atje nuk dua të vete, ata atje poshtë kanë shumë probleme".
Ashtu si Bob Mahoney mendojnë shumë qytetarë në Biloxi, edhe kryetari i bashkisë, AJ Holloway:
"Nafta që po rrjedh mund të kthehet në një katastrofë të përmasave historike. Po të arrijë në plazhet tona dhe në ujërat tona, do të dëmtonte rëndë industrinë e turizmit. Dhe biznesi ynë këtu në qytetin e Biloxit është pikërisht turizmi."
Pushtetarët e qytetit përpiqen me ato mundësi që kanë që të përgatiten për rastin më të keq, për ditën kur nafta të mbërrijë në plazhe:
"Ne përpiqemi ta mbajmë atë larg zonës sonë, jashtë zonës së Mississipit. Zonat që duhet t'i mbrojmë ne i kemi bllokuar me barriera. Kjo është e gjitha ajo që mund të bëjmë tani për tani".
Por edhe sikur nafta të arrijë në plazhe: banorët shpresojnë se do të jenë në gjendje t'i pastrojnë plazhet brenda pak javësh. Sidoqoftë, para 5 vjetësh ata arritën të mbijetojnë përballë shkatërrimeve të uraganit Katrina. Kaq keq sa atëherë ata nuk presin që plazhet të ndoten këtë herë nga nafta, thotë Rusty Davis nga Dhoma lokale e Tregtisë:
"Ne do ta përballojmë, sado e keqe që të jetë. Këtu rrjedha e jetës do të vazhdojë. Uji dhe plazhet do të pastrohen. Uji do të rrjedhë, siç bën gjithmonë. Dhe kur të mbërrijë nafta, unë garantoj: pas 30 ditësh këtu gjithçka është e pastër si më parë".
Optimizëm i sforcuar? Banorët e Biloxit vazhdojnë të shpresojnë që të mos përballen me rastin më të keq dhe që era ta shtyjë qilimin e naftës në det të hapur.
DVelle