English

Durrës: Kompania Albanian Dance Theatre, Vlerësimi Vjen Nga Artistët Me Përvojë

DURRËS, 25 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/- Mbrëmja e tetë e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan që po zhvillohet në qytetin e Durrësit ka sjellë në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" trupën e kompanisë "Albanian Dance theatre", që drejtohet nga koreografi dhe pedagogu Gjergj Prevazi. Dy shfaqjet e teatrit të lëvizjes me subjekte të autorëve të njohur dëshmuan arritjet e mëdha profesionale të kësaj kompanie gjatë viteve të fundit. Spektakli "Kohë që bjerr" bazohet në tregimin e autorit Karel Çapek dhe solistët Elton Çefa, Sueda Hoxha dhe Aledia Kondaj "treguan" përjetimin e pritjes, që mund të kthehet nga një torturë e vërtetë në një çast lumturie. Shfaqja, ku i vetmi dekor ishin tre kuti, gjeti duartrokitjet e spektatorëve durrsakë, si dhe shikuesve të shumtë nga Tirana që ndoqën performancën e kompanisë shqiptare. Shfaqja e dytë "Parfumi", ku protagonistëve Çefaj, Hoxha dhe Kondaj u bashkuan edhe solistët Milena Nurkaj dhe Klaudia Zaçe, ishte prova më e mirë e alternativës teatrale të dancit, i cili megjithëse nuk e përdor fjalën si mjet komunikimi, arrin të gjejë mundësi shprehëse mjaft efikase për të dëshmuar në mënyrë brilante dhe me emocione të mëdha "dehjen marramendëse që sjell çdo akt që bëhet me dashuri dhe pasion dhe që krijon çaste lumturie të pamatë". Shfaqjet janë punuar në bashkëpunim me asistentet Milena Nurkaj dhe Daniela Mara, ndërsa kompania "Albanian Dance Theatre", që i ka fillimet në vitin 2000, ka performuar tashmë me sukses në festivale mjaft të njohuara në Itali, Zicër, Maqedoni, Egjipt, Bosnje Hercegovinë, etj. Menjëherë pas shfaqjes balerini dhe koreografi veteran Albert Janku tha për ATSH-në se kjo gjini po forcon konceptin e teatrit alternative të dancit modern, falë punës së koreografit Gjergj Prevazi, ndërsa duke vlerësuar edicionin e pestë të këtij Festivali në Durrës Janku shtoi se pjesëmarrja masive dhe entuziazmi i spektatorëve janë tregues të ecurisë pozitive të këtij zhanrri thuajse të panjohur më parë në vendin tonë. "Pjesët "Kohë që bjerr" dhe "Parfumi", që ndoqëm sonte, dëshmuan evoluimin e të gjithë elementëve artistikë dhe progresi i detyrohet artistëve të rinj nën drejtimin e Prevazit", u shpreh prof. Janku. Performanca e artit modern është vlerësuar edhe nga koreografi veteran Dedin Suli, i cili bashkë me trupën dhe koreografin, përgëzoi edhe qytetin e Durrësit, ku evenimentet ndërkombëtare të verës hapen me një Festival të veçantë si ky i Dancit Modern dhe Kontemporan. Gjatë këtij edicioni, që mbyllet ditën e premte do të performojnë edhe trupa spanjolle "Anonima Imperial" dhe ajo zvicerane Linga. Edicioni i pestë i Festivali Ndërkombëtar i Dansit Modern dhe Kontemporan ka nisur më 1 maj me shfaqjen "The light" nga trupa spanjolle Jesus Quiroga dhe deri tani në skenat e teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit dhe "Black Box" pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, janë prezantuar kompani teatrore nga Spanja, Zvicra, Izraeli, SHBA, Suedia, Franca dhe Hungaria. Në këtë edicion jubilar, që për herë të parë shtrihet në një muaj, një pjesë e kompanive të huaja kanë ardhur me "prodhimet" e viteve 2009-2010 dhe gjatë këtij edicioni po shfaqen edhe disa premiera botërore. Festivali i Dancit qe organizohet nga shoqata "Bukuroshja e Durresit", ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Greqia, etj. Festivali mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Bashkia e Durrësit./s.s./
KOMENTE