Durrës, Mbytet Në Rezervuar 17 Vjeçari
DURRËS, 25 Maj/ATSH/.- Një 17 vjeçar është mbytur në një rezervuar pranë Shijakut, ndërsa kishte shkuar për t'u larë me shokët. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë e Qarkut të Durrësit bënë të ditur për ATSH-në se Rikardo Berhani, 17 vjeç, banues në lagjen "Lugina" të Shijakut, është mbytur sot rreth orës 14.00 në rezervuarin e njohur me emrin "Liqeni i Keçve", pranë qytetit të Shijakut.
Sipas policisë, e cila ndodhet në vendngjarje, polumbarët e forcave speciale po punojnë për gjetjen e trupit të pajetë të viktimës.
Ndërkohë po sot një 54 vjeçare nga Shkozeti ka gjetur vdekjen pas vetëhelmimit me fostoksinë. Policia tha se 54 vjeçarja me inicialet T. Z, u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtrak në Tiranë, por nuk arriti të mbijetojë.
Policia po punon për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje./s.s./