Tiranë, 25 Maj 2010 NOA – Që Shqipëria është Republikë, këtë e dimë të gjithë, por që ne jemi ende Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, këtë askush nuk e dinte. Ose të paktën, të gjithë besonim se vendimi i marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, për ta shndërruar Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë (RPSSH) në Republika e Shqipërisë (RSH), me votat unanime të mazhorancës së atëhershme të Berishës dhe opozitës së Nanos, këtu dhe afro dy dekada më parë, kishte vërtet fuqi ligjore. Por, mesa duket fare qartë, nuk qenka aspak kështu. Sepse as Qeveria dhe as Parlamenti ynë, nuk e njohin Shqipërinë si Republikë, por si Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Këtë mund t’jua demonstrojmë me dokumente që ju shihni bashkëlidhur këtij raporti.
Një vendim dhe më tej një projektligj, firmosur nga kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, tregojnë krejt të kundërtën. Ata, nuk e njohin Shqipërinë si Republikë, por si Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Pikërisht, pak ditë më parë, më 20 Maj 2010, Qeveria ka marrë një vendim, që e njeh vendin tonë si Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Bëhet fjalë për ratifikimin e një marrëveshjeje që në të vërtetë duhet të ishte Republika e Shqipërisë dhe jo Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ajo që duhet ta lidhte me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Për më tepër, ky vendim dhe ky projektligj, nuk është për qarkullim të brendshëm në Shqipëri, por për të gjithë botën, sepse është lidhur një marrëveshje me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, e cila tashmë, duam apo nuk duam ne, e njeh vendin tonë jo si RSH, por si Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Lexoni çfarë shkruhet në vendimin që ne posedojmë dhe ju mund të shihni edhe faksimilet:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT SHTESË TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË NDËRKOMBËTARE TË ENERGJISË ATOMIKE, PËR ZBATIMIN E GARANCIVE NË TË GJITHA VEPRIMTARITË BËRTHAMORE TË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit shtesë të marrëveshjes, ndërmjet Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, për zbatimin e garancive në të gjitha veprimtaritë bërthamore të Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
Pasi është marrë vendimi nga kryeministri Berisha, i ka ardhur radha edhe kalimit të ij në projektligj. Edhe këtu, ka vazhduar e njëjta “njohje” zyrtare e Shqipërisë, jo republikë si gjithë shtetet e Bashkimit Evropian ku aspirojmë të hyjmë, por si Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Lexoni çfarë thuhet në këtë projektligj që mban firmën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli – Çoba:
P R O J E K T L I G J
PËR
RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT SHTESË TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË NDËRKOMBËTARE TË ENERGJISË ATOMIKE, PËR ZBATIMIN E GARANCIVE NË TË GJITHA VEPRIMTARITË BËRTHAMORE TË SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e protokollit shtesë të marrëveshjes, ndërmjet Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për zbatimin e garancive në të gjitha veprimtaritë bërthamore të Shqipërisë.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
20/05/2010
i.t/NOA
Shihni këtu faksimilet me rezolucion më të lartë