English

Ekskluzive NOA – Rrëfehen Leart e Orik Shyti: Kur nisi udhë “Hakmarrja ...”

Tiranë, 24 Maj 2010 NOA Pjesa e tretë - Në pjesën e mëposhtme, ju do të lexoni se si nisi ajo që mund të quhet epokë e një organizate kriminale siç u cilësua nga shteti, organizatë e cila kurrë nuk u pranua nga vëllezërit Leart e Orik Shyti që akuzohen si kreatorë dhe drejtues të saj:

“Data 26 korrik 1992 ishte ditë zgjedhjesh për pushtetin vendor. Më 25 korrik, TVSH, televizioni i vetëm i vendit, transmetoi lajmin se ishte arrestuar Aredin Shyti, babai ynë.

Punonte në Akademinë e Rendit dhe e prisnim të kthehej nga puna. Lajmi që i beftë, megjithëse kur kalon një kohë, sheh se nuk duhej të kishte qenë i tillë. Rreth një muaj para arrestimit, në një gazetë ishte botuar lajmi se ishte marrë i pandehur për arsye se kishte shpërdoruar detyrën në ngjarjen e datës 2 prill 1991. Në kohën e asaj ngjarje, kishte qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme, detyrë që e kishte filluar më 5 janar 1991, dhe më pas, Ministër në qeverinë jetëshkurtër të Nanos. Akuzës për shpërdorim detyre, i kishte dhënë një përgjigje në shtyp dhe ne nuk kishim menduar gjatë për atë akuzë. Në mbrëmje, erdhën pak njerëz të afërt. Ata ishin më të paqartë se ne dhe nuk dinin si të na ngushëllonin.

Pasi mbetëm vetëm, nëna tha se ajo e priste ngjarjen, sepse disa net më parë, në mesnatë, kishte rënë telefoni, që qëndronte pranë shtratit dhe dikush nga ana tjetër, e kishte njoftuar se do të arrestohej. Fjalët e nënës më rënduan më shumë për gjendjen që ishte krijuar. Po e përjetonim shumë keq. Dëshpërimi ishte i përzier me një lloj turpi. Në atë kohë, arrestimi i një funksionari të lartë të shtetit ishte një lajm tronditës për të gjithë. Nuk kaluan më shumë se 3-4 ditë dhe një letër nga babai, e ndryshoi disi gjendjen shpirtërore të familjes.

Një muaj më vonë, erdhi në shtëpi një letër e daktilografuar. Letra i drejtohej, Presidentit të vendit, Sali Berisha. Porosia ishte që letra të postohej menjëherë. Pak ditë më vonë, me porosi të babait, letra iu dorëzua shtypit. Nënën dhe kryeredaktorin e gazetës “Zëri i Popullit”, Thoma Gëllçi, i thirri në hetuesi Arben Qeleshi. Nënës i bëhej presion që të thoshte se kush ia dha letrën e shkruar nga babai i burgosur, ndërsa kryeredaktori kërcënohej se botimi i letrës, kishte nxjerrë sekretin shtetëror të hetimeve.

Presionin e ulët të Qeleshit e kaluam më lehtë , sepse pas botimit të letrës, filluan të na bënin vizita. Po ndiheshim më të qetë shpirtërisht. Ftohtësia dy-mujore e bënte të pashmangshme pyetjen: Ç’mendojnë njerëzit për babain tonë? Gjendja ndryshoi. Mbetën dhimbja dhe shqetësimet për të ardhmen.

Në dhjetor të vitit 1992, procesi gjyqësor, i quajtur i “2 prillit”, u dha nga televizioni dhe radioja. Njerëzit ishin të qartë dhe e shprehnin hapur padrejtësinë që po bëhet nga pushteti i ri.

Dënimi i babait me 17 vite burg, na bëri t’i përvisheshim punës. E filluam pa pretendime me mbledhje kërpudhash në pyje, shitëm sheqer dhe sapunë, si dorë e dytë, për të vazhduar edhe me pllaka shtrimi dhe lëndë të tjera ndërtimi.

Në mesnatën e datës 8 tetor 1996, rrethohet dhe kontrollohet shtëpia ngha dhjetëra policë me fytyra të maskuara me kapuçë të zinj. Në shtëpi ndodhej njëri nga ne (Leart), tjetri ishte në Greqi sipas marrëveshjes që kishim me ortakun dhe mikun tonë Stathi Karamusa (Efstathios Karamusas) për blerjen e dy makinave të tonazhit të rëndë që do përdoreshin për transport lëndësh ndërtimi. Se çfarë ndodhi pas arrestimit, është përshkruar në një tregim të hollësishëm. Ky tregim është dorëzuar në gjykatë nga avokati, z. Dylber Mani, është botuar pjesërisht nga shtypi (pas hapjes së burgjeve) dhe zë vend edhe në faqet e këtij libri.

Në datat 12 dhe 13 mars 1997, përfundoi hapja e të gjitha burgjeve në Shqipëri. Ne u takuam në Greqi, bashkë me babanë, që na tha se në Shqipëri kishte takuar dhe biseduar me dy të akuzuar të tjerë. Në fillim me Kreshnik Spahiun dhe më pas me Enkeled Agaj. Kërkoi t’i shpjegonim për të gjitha akuzat që ishin shpallur kundër nesh në datën 16 tetor 1996. Në Evija (Ajokambos) të Greqisë, bisedoi edhe me kushëririn tonë Altin Arapin dhe me Gentian Çakën. Para se të vinte në Shqipëri, donte të takonte patjetër Roland Shytin, djalin e xhaxhait. Rolandi, banonte me familje e tij në një qytezë pranë Athinës. Takimi u bë një ditë para largimit. Me qëllim apo rastësisht, edhe me Rolandin, biseda u bë më vete.

E përcollëm babanë deri në Janinë. Biseda përfundoi me shprehjen e gatishmërisë sonë që të paraqiteshim para gjykatës.

Vendosëm të qëndronim në Greqi deri sa të thirreshim nga gjykata. Ishim të sigurt, se kërkesa për të bërë hetime, do të pranohej. Po kaq të sigurt ishim se edhe po të shkohej në gjyq, zgjidhja e çështjes nuk do të zgjaste më shumë se disa muaj. Gjatë kësaj kohe, punët e tregtisë vendosëm t’i ndiqte Stathi, i mbështetur nga njerëzit tanë.

Takimet e atyre ditëve, janë përshkruar në një shkrim të babait, të botuar në revistën “Klan” e muajit tetor 1997, e shoqëruar me fotografi.

Një herë dhe më shpesh se një herë në javë, duhej që dikush nga ne të dilte te stacioni i autobusit që vinte nga Tirana për të marrë dhe përcjellë letrat. Babai na dërgonte rregullisht informacion për përpjekjet që po bënte, në mënyrë që çështja të hetohej sa më shpejt dhe të shkonte në gjykatë. Në fillim të nëntorit të vitit 1997, na erdhi një letër e daktilografuar. Ishte një denoncim që babai kishte ndër mend ta bënte në një komision parlamentar, i cili sapo ishte krijuar për të hetuar ngjarjet që shkaktuan shkatërrimin e shtetit në pranverën e vitit 1997. Me anën e letrës shoqëruese, na kërkonte të shikonim video-kasetën që kishte transmetuar në TVSH, më 16 tetor 1996, pastaj të lexonim denoncimin dhe të jepnim mendimin tone “me përgjegjësi të lartë”. Në të njëjtën letër, kërkohej që të jepej përgjigje për avokatin për ato që shikoheshin në videokasetë.

As ai dhe as ne nuk e dinim se çfarë kishte dosja hetimore, kjo do të mësohej një vit më vonë, në fillim të muajit shtator 1998, kur avokati të lejohej të njihej me provat. Por ne kishim në dorë komunikatën e shpërndarë për shtyp në datën 16.10.1996 nga ministri i Punëve të Brendshme dhe disa numra të gazetës “Albania” prej datës 15 tetor deri 20 tetor 1996. Kopja e komunikatës shoqërohej nga një listë e gjatë me krimet, që sipas këtij dokumenti, kishte kryer secili nga ne, në bashkëpunim me të akuzuarit e tjerë. Gazeta “Albania” dhe “Komunikata për Shtyp”, jepnin një panoramë që nuk na krijonte shqetësim për t’u përballur me ligjin. Ato që shkruheshin nuk kishin asnjë lidhje me ne dhe shumë herë ishin shkak për të bërë humor me njëri-tjetrin, por me raste, edhe me persona të tjerë.

Na duket se është e mundimshme që, duke dhënë përmbajtjen kryesore të atyre shkrimeve, lexuesi do të shohë më shumë nga sa kemi parë ne në atë kohë.

Gazeta “Albania” e datës 15.10.1996:

“Dënimi me vdekje është dhënë nga Bënça. Arrestohen vrasësit e Bujar Kaloshit. Organizata terroriste e kishte dënuar me vdekje tri ditë para ekzekutimit. Dy vrasësit e tij e pranojnë krimin dhe dëshmojnë skemën e organizimit të tij. Nën hetim, edhe disa prej përfaqësuesve të familjeve më të njohura të nomenklaturës komuniste në Shqipëri ...

Zbardhet plotësisht enigma e vrasjes së kreut të burgjeve shqiptare. Bujar Kaloshi është vrarë nga një organizatë terroriste me karakter politik, emri i së cilës nuk po bëhet i njohur për shkak të hetimeve. Vendimi është marrë nga njëri prej pjesëtarëve të kësaj organizate që aktualisht vuan dënimin në burgun e Bënçës. Vrasja, e cila ka pasur një prapavijë të qartë politike, është kryer tri ditë më pas marrjes së vendimit. Policia e kryeqytetit arrestoi dje dy ekzekutorët e Kaloshit, makinën me të cilën janë larguar si dhe revolverin që kanë përdorur . L.Sh dhe E.T, dy ekzekutorët e drejtorit të Drejtorisë së Burgjeve, kanë kryer krimin të maskuar me paruke, të cilat kanë bërë që fillimisht, të devijonin hetimet drejt një piste tjetër, tashmë e përjashtuar plotësisht.

Krerët e organizatës kanë lidhje të provuara me disa prej emrave më të njohur të nomenklaturës së vjetër komuniste. Vetëm gjysmë ore para vrasjes, dy kriminelët kanë takuar në bar VIP një prej pjesëtarëve të këtyre familjeve, me të cilin kanë pirë kafe. Personi është thirrur mbrëmë në mesnatë, në pyetje në organet e prokurorisë ...

Nga ana tjetër, pas hetimeve të para, del se objektivi themelor i kësaj organizate, e para e këtij lloji e zbuluar në Shqipëri, është thjesht inkriminimi i shoqërisë demokratike, duke u përpjekur ta paraqesë atë si një shoqëri të krimit. “Ideali im është t’u mbushë mendjen shqiptarëve se demokracia është krim”, ka dëshmuar një prej të deklaruarve si terrorist i parë i kësaj organizate. “Ashtu siç ju kishit ideal përmbysjen e Enver Hoxhës, unë kam ideal përmbysjen e Sali Berishës”, - ka thënë ai.

Organizata, e cila është tashmë pothuajse në duart e policisë, ka patur një veprimtari pesë-vjeçare.

Zbulimi dhe shkatërrimi i kësaj organizate shikohet si një nga goditjet më të forta që i jepet krimit të organizuar në Shqipëri., që pritet të pasohet me zbardhjen e krimeve të tjera, të kryera gjatë këtyre pesë vjetëve”.

Vëllezërit Leart dhe Orik Shyti, rrëfehen për herë të parë me detaje lidhur me atë që i ndjek nga pas prej afro një dekade e gjysmë, “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Një organizatë që u akuzua atëherë nga shteti për një seri ngjarjesh të rënda kriminale, aktesh terroriste, vrasjesh e grabitjesh. Orik Shyti dhe vëllai i tij Learti, rrëfehen si asnjëherë tjetër për gjithçka që ka ndodhur në këto afro 15 vjet dhe zbulojnë të pathëna të kësaj periudhe. Tregojnë fillesat e kalvarit që ende vazhdon, dhe detajojnë si ky kalvar, nisi në verën e vitit 1996.

Gjithçka është hedhur në letër dhe që të mos mbetet vetëm për ta, kanë vendosur të nxjerrin një libër. “Ne. Hakmarrja për Drejtësi” dhe...”, është libri që nxjerrin Orik dhe Leart Shyti të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë. Libri, i nisur si ide në vitin 2004, është vendosur që të shkruhet më 2009 dhe vetëm këto ditë ka dalë në dritë. Ai gjendet në libraritë e Tiranës dhe rretheve. Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA ka marrë të drejtën ekskluzive të publikimit të pjesëve të përzgjedhura nga ky libër i vëllezërve Shyti.

Nesër do të lexoni: “Hakmarrja...”, si u arratisën prokurorët e çështjes së bujshme.

Mediat që kërkojnë publikimin, të dërgojnë një kërkesë në info@noa.al për të marrë falas, materialin e plotë në word dhe fotot.

NOA

“Hakmarrja...”, zbardhen vendimet e gjykatave të huaja për vëllezërit Leart e Orik Shyti

Rrëfehen Leart e Orik Shyti: Berisha, si tentoi të na marrë jetën

Vëllezërit Shyti nxjerrin një libër për “Hakmarrjen...”

KOMENTE