Tiranë, 25 maj, NOA - Procesi i emetimit të eurobondit, ku qeveria shqiptare parashikon të marrë 400 milion euro borxh është pezulluar. Kriza greke ka turbulluar tregjet, gjë që ka bërë që normat e interesit të rriten ndjeshëm.
Ky është faktori kryesor, pse qeveria po tenton të gjenerojë të ardhura në mënyra të ndryshme, siç janë rritja e taksave apo shitja e pasurive publike, si ish-hotel Dajti. Drejtori i Administrimit të Borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj shprehet se, do të pritet deri sa tregjet e kapitaleve të stabilizohen.
Ky veprim do të bëhet në një moment të dytë, pasi ekonomia greke të rimarrë veten.
Por dëshira e qeverisë ishte që ky borxh të bëhej efektiv gjatë muajit maj, kohë që përkonte me pagesën e këstit të kredisë së shtrenjtë, të marrë një vit më parë për rrugën Durrës-Kukës.
Ndaj pagesa e këtij kësti disa miliona euro, së bashku me deficitin prej 8 miliard lekësh, të krijuar gjatë 4 mujorit të parë kanë vënë në vështirësi serioze buxhetin e shtetit.
“Nuk kemi emergjencë në marrjen borxhit, ne do të donim që shumën prej 400 milion euro ta merrnim brenda muajit maj, pasi donim të paguanim këstin e kredisë sindikale, por kjo nuk u arrit”, thotë Demiraj.
Viti 2009 u mbyll me një borxh prej afro 700 miliard lekë, ose 60% e prodhimit të brendshëm bruto.
Interesat që duhet të paguajë qeveria kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë këtij viti, duke arritur në 43 miliard lekë gjithsej. E gjithë kjo situatë do e rëndojë buxhetin e shtetit, për pagesën e tij.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka sugjeruar dy rrugë zgjidhje: rritje të taksave ose ulje të shpenzimeve, të cilat duket se po zbatohet të dyja nga qeveria.
r.l/NOA