Fishë Teknike - Republika Çeke Me Të Dhënat Kryesore
PRAGË, 25 maj /ATSH-AFP/ - Më poshtë vijojnë të dhënat kryesore të Republikës Çeke, ku të premten dhe të shtunën do të zhvillohen zgjedhje legjislative:
GJEOGRAFIA: Kufizohet në perëndim me Gjermaninë, në jug me Austrinë, në lindje me Sllovakinë dhe në veri me Poloninë. Përbëhet nga dy krahina të mëdha Bohemia, në perëndim dhe Moravia në lindje.
SIPËRFAQJA : 78 866 kilometra katrorë.
POPULLSIA : 10,506 milionë banorë (2009), me një minoritet rom të vlerësuar në 250 000 deri 300 000 persona.
KRYEQYTETI : Praga, 1,25 milionë banorë (2009).
FEJA : katolike (rreth 40 për qind), me një përqindje të ulët praktikuesish.
GJUHA : çeke (gjuhë sllave).
HISTORIA : Republika Çeke u krijua më 1 janar 1993 nga shkëputja me marrëveshje nga Çekosllovakia gjë që solli gjithashtu krijimin e Sllovakisë.
E krijuar në vitin 1918 mbi rrënojat e perandorisë austro-hungareze, e pushtuar nga nazistët në vitet 1939-45, Çekosllovakia bëhet vend satelit i BRSS-së në vitin 1948.
Më 21 gusht të vitit 1968, trupa sovjetike ndërhyjnë për të shtypur lëvizjen "Pranvera e Pragës", (një përpjekje për liberalizim e ndërmarrë nga Alexander Dubcek).
Në nëntor të vitit 1989, "Revolucioni i kadifenjtë", i organizuar nga dramaturgu dhe disidenti Vaclav Havel, i jep fund pa dhunë regjimit komunist. Ndarja e Çekisë nga Çekosllovakia bëhet katër vjet më vonë.
Republika çeke anëtarësohet në Bashkimin Evropian më 1 maj të vitit 2004.
INSTITUCIONE : Demokraci parlamentare, me një parlament dydhomësh. Dhoma e Ulët përbëhet nga 200 deputetë dhe zgjidhet një herë në katër vjet.
Presidenti, i zgjedhur nga parlamenti, ka të drejta të kufizuara, por të mjaftueshme për të ushtruar influencë në jetën politike dhe ekonomike.
Në vitin 2003 ish-kryeministri liberal Vaclav Klaus (i rizgjedhur në vitin 2008 për pesë vjet), bëhet president pas Vaclav Havel.
Që prej vitit 1992, vendi ka patur një varg koalicionesh qeveritare të kryesuara veçanërisht nga liberalët e ODS-së dhe socialdemokratët e CSSD-së.
EKONOMI : Rënie me 4,2 për qind të PBB-së në vitin 2009. Ministri i Financave pret një rritje prej 1,5 për qind në vitin 2010 dhe 2,4 për qind në vitin 2011. Banka qendrore çeke, CNB, parashikon një rritje prej 1,4 për qind këtë vit dhe 1,8 për qind në vitin 2011.
Deficiti publik ka arritur në vitin 2009 në 5,93 për qind të PBB-së, kundrejt 2,72 për qind vetëm në vitin 2008.
Vendi, me një traditë të gjatë në fushën e industrisë, i tërheq investitorët e huaj, sidomos në industrinë e automobilit.
BURIMET : qymyri, linjiti.
PBB : 178,5 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2009
TË ARDHURAT PËR FRYMË: 13 533 euro në vitin 2009
MONEDHA : korona çeke (CZK) 1 euro e barabartë me rreth 25,55 CZK (maj 2010).
PAPUNËSIA: 9,2 për qind (prill 2010).
FORCAT E ARMATOSURA : 35 000 persona. Pas hyrjes në NATO (1999), vendi e reformoi ushtrinë, që u bë plotësisht profesionale.
INSTITUTIONET NDËRKOMBËTARE: Republika çeke ishte vendi i parë i ish-bllokut komunist që anëtarësohet në Organizatën për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OCDE).
FAQE INTERNETI : www.hrad.cz (presidenti), www.vlada.cz (qeveria), www.psp.cz (dhoma e ulët e Parlamentit), www.czso.cz (zyra e statistikave)
/I.Pu.