Futboll/ Shkodër: Derbi I Ekipeve Shkodrane Për Femra Mbyllet Me Barazim
SHKODËR, 25 Maj/ATSH-G. Marku/.- Derbi shkodran i futbollit për femra, mes ekipeve The Doors dhe Juban Danja, që u zhvillua të hënën në mbrëmje, u mbyll me barazim 2-2, duke favorizuar ekipin e parë, të cilit i duhej vetëm një pikë për të ruajtur vendin e dytë në renditje e kampionatit kombëtar.
Në minutën e 20-te, The Doors kaloi në avantazh, me golin e Jesmina Tulës, i cili zgjati vetëm 12 minuta, kur Loreta Paço barazoi për Juban Danjën, në të 32-ën.
Jesmina Tula kalon sërishmi The Doors në avantazh në minutën e 38-të, por një minutë më vonë, kundërshtaret fituan një penallti dhe shënuan golin e fundit për takimin, që në pjesën e dytë u mbyll pa gola.
The Doors, me këtë rezultat renditet e dyta në kampinat, pas Tiranës, ndërsa Juban Danjës i duhej fitorja për të zënë vendin e dytë.
Trajneri i skuadrës së The Doors, ish-futbollisti shkodran, Fatmir Axhani, theksoi për ATSH-në se derbi shkodran ia arriti qëllimit, "pasi ai dhuroi emocione të shumta, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj me entusiazmin e të dy tifozërive që qenë tepër aktivë gjatë ndeshjes."/ch/