English

Greqi - Ministria E Finacave Operacion Antikorrupsion Në Shërbimet Tatimore

ATHINË, 25 maj /ATSH-AFP/ - Ministria e Financave ndërmori sot një operacion të rëndësishëm në shërbimet tatimore për përmirësimin e rendimentit të hyrjeve fiskale dhe vendosjen e transparencës në shërbimet financiare, theksoi Ministria e Financave në një komunikatë. Ministria vendosi gjithashtu të shkarkojë nga detyra 20 drejtorë të shërbimeve fiskale kryesisht në zonat e Athinës dhe Selanikut për mospërmbushje të objektivave të vendosura në të ardhurat tatimore, ndërkohë që qeveria ka nisur një fushatë kundër mashtrimeve. ''Rreth 50 hetime administrative janë ndërmarrë kundër agjentëve tatimorë dhe doganierëve pas akuzave për korrupsion nga qytetarët, ndërkohë që 70 agjentë janë transferuar në disa vende për një funksionim sa më të mirë të shërbimeve'', vijon komunikata. Ministria shqyrtoi përveç të tjerash deklaratat e të ardhurave dhe pasurinë e 234 punonjësve. "Puna e Ministrisë së Financave bazohet në përpjekjet e përditshme dhe në rendimentin e të gjithë punonjësve, të cilët kuptojnë rolin dhe rëndësinë e punës së tyre në këto momente të vështira për ekonominë e vendit tonë'', nënvizon teksti. / /ec/ a.jor.
KOMENTE