Vlorë, 25 maj, NOA – Orët e para të mëngjesit të sotëm policia shqiptare dhe ajo italiane kanë bërë të mundur arrestimin e dy personave dhe bllokimin e një gomoneje.
Lajmi konfirmohet nga Policia e Shtetit e cila sqaron dhe detajet e operacionit. Të arrestuarit janë; Valentin Ndoj, 22 vjeç nga Fushë Kruja dhe Arben Isufi, vjeç 29, nga Delvina. Mjeti lundrues, një gomone rreth 9 metra e gjatë, me tre motor është lokalizuar fillimisht në ujërat e Vlorës duke u larguar për në Greqi.
Pas nisjes së operacionit të policisë drejtuesit e mjetit lundrues kanë menduar të largohen drejt Italisë.
Organizimi i operacionit mes Policisë së Shtetit dhe strukturave të Policore Italiane la bërë të mundur arrestimin e dy personave.
Sipas policisë mjeti lundrues është konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në orët e para të ditës së sotme teksa lëvizte me një shpejtësi të madhe në drejtim të ishujve të Fanosit në Greqi.
Njëkohësisht në ndjekje të këtij mjeti janë vënë shërbimet e delta Forcës, si dhe mjeti i Guardia di Finanzia Vlorë në bordin e të cilit është i dislokuar dhe një punonjës i Policisë Kufitare Shqiptare, 24 orë pa ndërprerje.
Pas lëvizjes në drejt brigjeve italiane janë vënë ne djeni dhe autoritetet portale të vendit fqinj.
“Ndjekja e mjetit më pas ka vijuar në ujërat territoriale italiane. Në ndihmë të mjetit të Guardia di Finanzia Vlorë, autoritetet policore italiane kanë vënë në dispozicion dhe një helikopter. Si rezultat i kësaj ndjekje rreth orës 02.45’, në jug të brigjeve italiane, është bërë i mundur bllokimi i mjetit lundrues”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia njofton se po bashkëpunohet me autoritetet policore italiane për hetimin e plotë të këtij rasti, pasi dyshohet se mjeti lundrues shërbente për trafik lëndësh narkotike.
m.xh/NOA