English

Klima - Gjermania Kërkon Një Pushim Në Zvogëlimin E Lëshimeve Të Co2-It Në Be

BRUKSEL, 25 maj /ATSH-AFP/ - Gjermania është kundër kërkesës së Komisionit Evropian për rritjen në 30 për qind të zvogëlimit të lëshimeve të gazit me efekt serrë në BE për vitin 2009, njoftoi në Bruksel ministri i Ekonomisë Rainer Bruderle. "Mendoj se është e arsyeshme të bëhet një pushim për shkak të krizës ekonomike", shpjegoi Brüderle pas mbërritjes në Bruksel për një mbledhje të ministrave të ngarkuar me Industrinë. Ai bëri të ditur se do të njoftojë sot një deklaratë të përbashkët me Francën lidhur me këtë qëndrim. "Nuk do të sillte asnjë ndryshim në mbrojtjen e ambientit, nëse avancojmë në mënyrë të njëanshme në Evropë, pas dështimit të Kopenhagës", shpjegoi ministri gjerman. "Në kohëra të vështira, duhet t'i caktojmë vetes disa prioritete", u shpreh Brüderle. Përkundrazi, Komisioni Evropian këshillon zvogëlimin me 30 për qind të lëshimeve të gazit me efekt serrë në BE në vitin 2020 në krahasim me vitin 1990 në një propozim, një kopje të të cilit e siguroi AFP-ja dhe që do të paraqitet të mërkurën nga komisionerja për Klimën Connie Hedegaard. Dokumenti i Komisionit thekson se objektivi për zvogëlimin në masën 20 për qind në vitin 2020, siç është angazhuar BE-ja në vitin 2008, nuk është tashmë i mjaftueshëm për të bërë të mundur vënien në rrugën e duhur të zvogëlimit të lëshimeve të gazit me efekt serrë. Ideja e Komisionit pritet ende të miratohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe më tej nga Parlamenti Evropian. Ajo pritet të shqyrtohet gjatë samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive evropiane më 17 qershor. Objektivi për zvogëlimin në masën 30 për qind të gazeve me efekt serrë në vitin 2020 kundërshtohet nga industrialistë evropianë. "Aleanca evropiane e industrive me konsum të madh energjie e kundërshton kategorikisht çdo rritje të njanshme të objektivit të Bashkimit Evropian", paralajmëroi së fundi Eurofer, shoqata evropiane e siderurgjisë, në një komunikatë. /I.Pu.
KOMENTE