English

Kosovë - Krasniqi Kërkon Nga Kuvajti Njohjen E Pavarësisë

PRISHTINË, 25 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kërkoi sot nga drejtuesit më të lartë të shtetit të Kuvajtit, njohjen e pavarësisë së Kosovës. Zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës bëri të ditur se kryeparlamentari Krasniqi, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në këtë vend, u prit sot në takime të veçanta nga Princi i Kuvajtit, Shejh Sabah El Ahmed El-Xhabir Es-Sabah, Kryministri Nasir El- Muhamed El-Ahmed Es-Sabah dhe kryetari i Kuvendit Kombëtar, Xhasim Muhamed El-Karrafi. Krasniqi ka vlerësuar gjatë këtyre takimeve solidarizimin e Kuvajtit me Kosovën, gjatë dhe pas lufte, mbështetjen nëpërmjet rezolutave të Organizatës së Konferencës Islamike, e fundit, e miratuar në Dushanbe të Taxhikistanit, pastaj për anëtarësimin e Kosovës në FMN, në BB, rindërtimin e pasluftës, etj. Në këtë kontekst Krasniqi i kërkoi Kuvajtit njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, për ta bërë të mundur kështu hyrjen e saj në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Republika e Kosovës, tha ai, dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Kuvajtin mik në të gjitha fushat, si partner strategjik, në dobi të interesave e të bashkëpunimit reciprok dhe të miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë. Udhëheqësit kuvajtianë shprehën kënaqësinë për vizitën dhe për arritjet e Kosovës e për njohjen e saj ndërkombëtare, duke premtuar se edhe Kuvajti do ta bëjë shpejt atë. Duke shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në shumë plane, Emiri i Kuvajtit, Shejh Sabah El Ahmed El-Xhabir Es-Sabah, kërkoi takim të menjëhershëm të delegacionit me kryetarin e Fondit kuvajtian për Zhvillim, i cili do të realizohet në kuadër të vizitës, ditën e nesërme./s.s./
KOMENTE