Marrëdhëniet Mes Shqipërisë Dhe Turqisë Janë Vëllazërore
-Deklaron Presidenti Topi në takimin me Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Turqisë, Yucel Kanpolat-
TIRANE, 25 Maj/ATSH-A.Gjonaj/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i vlerësoi si vëllazërore marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, ndërsa shprehu angazhimin për mbështetjen e institucionit të tij për studimin dhe kërkimin shkencor dhe për botën akademike.
Gjatë një takimi të zhvilluar me Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Turqisë, Prof. Yucel Kanpolat, presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe projekteve të ndërsjellta në përgatitjen e kualifikuar shkencore dhe të kërkimit shkencor ndërmjet Akademive tona dhe përfaqësuesve të saj.
Në këtë kuadër, Presidenti Topi u ndal në nevojën për të përfituar nga përvoja e shkëlqyer turke, sidomos në fushën e mjekësisë, fushë në të cilën dhe vetë Kryetari i Akademisë së Shkencave të Turqisë, Prof. Kanpolat, ka dhënë kontribut me studimin dhe botimin e mjaft librave, kryesisht mbi neurologjinë kirurgjikale dhe neurokirurgjinë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Turqisë, (TÜBA), Yucel Kanpolat, nga ana e tij, e njohu Presidentin Topi me ecurinë e kërkimit studimor shkencor turk në përgjithësi dhe me veprimtarinë e vet shkencore dhe akademike në veçanti, ku përfshihet bashkëpunimi sa më i gjerë ndërkombëtar dhe hapja e universiteteve të reja sa më cilësore.
Duke vënë në dukje edhe punën e mirë të strukturave shtetërore shqiptare në këtë drejtim, Prof. Kanpolat shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për të ndihmuar kërkimin shkencor shqiptar, duke ofruar përvojën turke të kërkimit dhe studimeve shkencore, si dhe rritjen e cilësisë, kapaciteteve dhe kualifikimit profesional.
Në takim ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hasan Sevilir Asan dhe Kryetari i Akdemisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Gudar Beqiraj. /a.ke/