Shkup, 25 maj, NOA - Kryeministri i Maqedonisw Nikolla Gruevski po pret që BDI-ja të tërhiqet nga qeveria pas gjithë atyre zhvillimeve që rënduan pozicionin e kësaj partie shqiptare, gjë që do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
Ka qenë ndërhyrja e diplomatëve perëndimor që Ahmeti të mos braktisë për momentin qeverinë, për tiu shmangur skenarëve të Gruevskit. Skenarë të tilla bëhen të ditur nga qarqe diplomatike perëndimore në Shkup për gazetën “24 orë”.
Mediat shtojnë se vizita e ambasadorit amerikan Filip Riker në selinë e BDI-së në Reçicë të Tetovës ka qenë pjesë e kësaj loje, që po përgatitet nga ana e kryeministrit dhe drejtuesve të VMRO-DPMNE-së.
“Është një lojë e përgatitur nga Gruevski, i cili synon të çojë vendin drejt zgjedhjeve në vjeshtë apo për disa muaj më vonë, ndërsa për tërë këtë ai kërkon fajtorë apo nxitës që i hapin terren atij për të vepruar. Dështimi për moszgjidhjen e kontestit të emrit është një arsye që VMRO-DPMNE të blejë kohë dhe të shfrytëzojë rejtingun e saj për të dalë në zgjedhje dhe për tu ballafaquar me rivalët e tij, sidomos Cërvenkovskin”, ka theksuar për “24 orë”, një diplomat perëndimor.
Skenari i Gruevskit është i përgatitur njësojë sikur në vitin 2008, kur kryeministri për disa javë ishte zhdukur jashtë vendit dhe ku po hartonte strategjinë për të çuar vendin drejt zgjedhjeve. Plani i Gruevskit është hartuar në një nga qendrat evropiane, ku ai ka qenë i shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, pas vizitës nga Maroko.
Lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti pas një takimi disaorësh me ambasadorin amerikan, Filip Riker deklaroi se nuk do të braktisë qeverinë, edhe përkundër faktit të inferioritetit dhe goditjeve të rënda që kjo parti ka pësuar nga zhvillimet e fundit. Ahmeti ka përsëritur se do të kërkojë nëpërmjet rrugëve institucionale realizimin e statusit të UÇK-së, zgjidhjen e rastit të Sopotit si dhe mbylljen e rasteve të Hagës.
NOA/RFE