English

Nis sot në Lushnjë Festivali Tipologjik i Valles Follorike

Lushnjë, 25 Maj, NOA /Milena Selimi – Për të pestin vit, Lushnja shndërrohet për pak ditë në “një festë të valles tradicionale”. Nga data 25-27 maj 2010, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, organizon Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar.

Gjithçka është kuruar sipas kritereve shkencore dhe organizative, ku u përgatitën mbi 300 festivalistë, që do të shfaqen përgjatë ditëve të festivalit në Lushnjë.

Grupet përzgjedhëse të përbërë nga specialistë e njohës të spikatur të folklorit, kanë verifikuar në të gjitha grupet përfaqësuese zbatimin e kritereve të përcaktuara si në drejtim të origjinalitetit, të prurjeve, cilësisë së realizimit, tematikës ashtu edhe numrit të pjesëmarrësve, cilësisë së veshjeve, instrumenteve.

Por edhe deri në përfaqësimin e grupmoshave e të zonave të ndryshme të etnokulturës shqiptare. Këto kritere kanë për qëllim ruajtjen e traditës kulturore shpirtërore të kombit tonë si brenda dhe jashtë hartës politike, po ashtu dhe transmetimin e saj brez pas brezi.

Priten të marrin pjesë në këtë festival jo vetëm grupet e 12 qarqeve, por edhe të grupeve të shqiptarëve të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës.

Esat Ruka, drejtor i QKVF-së shprehet se “Edhe këtë vit ne synojmë që të realizojmë objektiva të rëndësishme, në përmbushjen e qëllimit që ne kemi, pra jo vetëm në ruajtjen e origjinalitetit, por edhe në përcjelljen brez pas brezi të trashëgimisë sonë folklorike“. Juria e vlerësimit të grupeve pjesëmarrëse do të vlerësohet nga personalitete të kulturës si prof.dr. Skënder Selimi, Lili Cingu etj.

Gjithashtu, ai thekson më tej se për një ridimensionim të këtyre aktiviteteve të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë sonë shpirtërore, kërkohet edhe parashikimi i aktiviteteve dytësore, të cilat i japin fizionomi multi-kulturore këtyre festivaleve. Për këtë arsye u kërkohet këtyre bashkive bashkëorganizatore të parashikojnë në programet e tyre aktivitete dytësore siç janë, shfaqjet e grupeve në Bashki apo Komuna, në zonat rreth tyre, panaire të artizanatit, të kulinarisë dhe prodhimeve të zonës, vizita në monumentet e trashëgimisë kulturore të zonës etj.

m.s/n.e/NOA
KOMENTE