English

Obama: Koreja e Veriut provokoi të Jugut, sfidoi ligjin ndërkombëtar

Uashington, 25 Maj, NOA - Presidenti amerikan, Barak Obama, ka diskutuar me grupin e tij të sigurisë kombëtare situatën e rënduar, të krijuar mes dy Koreve, ku e përshkroi fundosjen e anijes luftarake të Koresë së Jugut, si pjesë e një stili të provokimeve të Koresë së Veriut dhe sfidimi të ligjit ndërkombëtar.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, Bryan Uhitman, deklaroi se “Koreja e Veriut duhet të ndalojë sjelljen e saj kërcënuese dhe shtypëse. Ne mbështesim veprimet e zotit Lee. Sekretarja Clinton do të shkojë në rajon dhe do të bisedojë me të së shpejti”.

Ndërkaq, bëhet me dijeni se Shtetet e Bashkuara dhe Koresë së Jugut, së shpejti, do të zhvillojnë dy lloj manovrash detare, ku njëra synon përmirësimin e aftësive të përbashkëta për të zbuluar dhe sprapsur nëndetëset dhe tjetra, përqendrohet në trajtimin e kërcënimeve në sipërfaqe nga anijet.

“Këto nisma janë rezultat i gjetjeve të dala nga incidenti i kohëve të fundit si dhe konsultimeve tona thuajse konstante me Korenë e Veriut”, tha Bryan Uhitman.

Javën e kaluar, një hetim ndërkombëtar doli në konkluzionin se Koreja e Veriut përdori një silur për të fundosur anijen luftarake të Koresë së Jugut, Cheonan, në afërsi të ujërave të debatuara ndërmjet dy koreve duke vrarë 46 marinarë. Koreja e Veriut ka hedhur poshtë gjetjet duke thënë se ato janë fabrikime.

n.e/NOA

KOMENTE