Patozi: Vendimi Për Rrëzimin E Kandidaturës Së Vangjel Kostës, Politik
TIRANË, 25 Maj/ ATSH/- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, reagoi sot ndaj deklaratës së kreut të PS-së, Edi Rama, se "rrëzimi i kandidaturës së Vangjel Kostës për në Gjykatën Kushtuetuese është bërë për motive të errëta", duke theksuar se "rasti i z.Vangjel Kosta bëntë pjesë në kandidaturat politike dhe për këtë shkak u rrëzua".
Në një konferencë për shtyp Patozi tha se "ne kemi votuar fshehur, sepse kështu e parashikon kushtetuta, por e deklarojmë hapur arsyen politike të votës kundër dhe më duhet të theksoj se ky standard, është sa transparent, aq edhe i patjetërsueshëm për maxhorancën".
"Grupi parlamentar i PD-së e ka bërë të qartë, pa as më të voglën mëdyshje, se e konsideron të papranueshme ngjitjen në kupolën e sistemit të drejtësisë të çdo kandidature politike", tha Patozi.
Duke u ndalur tek deklaratat e kreut të PS-së, kreu i grupit të deputetëve demokratë, Astrit Patozi, u shpreh se "meraku i shprehur sot nga z. Rama mund të vijë për shkak të lidhjeve të tij me të shkuarën apo nga një mentalitet i papajtueshëm me shtetin demokratik të së drejtës".
"Cilido që të ketë qenë motivi, ne urojmë që ai të çlirohet sa më shpejt prej këtyre ndikimeve, pasi mbajtja larg drejtësisë e personave me integritet të cënuar gjatë karrierës së tyre dhe të pozicionuar fort politikisht, është kontributi më i mirë për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë", tha Patozi.
Javën e kaluar (20 maj) Kuvendi i Shqipërisë miratoi dy nga tre dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Deputetët e maxhorancës miratuan me 70 vota dekretet e emërimit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të kandidaturës së Altina Xhoxhajt dhe të Bashkim Dedes, ndërsa rrëzuan me 66 vota dekretin e emërimit të kandidatit tjetër, Vangjel Kosta. /s.d/s.s./