English

Presidenti Topi Dekreton Emërimin E Tre Anëtarëve Të Gjykatës Së Lartë

TIRANË, 25 Maj/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi sot, emërimin e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Sipas zyrës së shtypit pranë Presidencës, në mbështetje të Kushtetutës, Kreu i Shtetit dekretoi emërimin e Medi Bicit, Sokol Çomos dhe Vexhi Muçmataj, si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Gjithashtu, Presidenti Topi dekretoi edhe emërimin e Hysen Salikos, si gjyqtar në gjykatën e apelit të Vlorës. Në mbledhjen e grupit konsultativ për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarët e rinj në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë (3 maj 2010), Presidenti Topi deklaroi se zgjedhja e kandidatëve për vendet vakant do të bazohen në dy shtylla thelbësore: integritetin moral e integritetin profesional. Në përmbushje të detyrimit të tij kushtetues, Kreu i Shtetit bëri të ditur në 25 janar 2010, nisjen e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për vendet vakante në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Deri më 15 shkurt, që ishte dhe afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve nga kandidatët, numri i atyre që konkuruan për këto poste ishte rreth 50-60 individë. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Presidenti i Republikës zgjodhi këtë procedurë, si dy vjet më parë për të përzgjedhur 8 gjyqtarët në dy gjykatat më të rëndësishme të vendit, pas rastit të vitit 2008 kur pesë kandidaturat e propozuara për vende vakante në Gjykatën e Lartë u rrëzuan në parlament me shumicë votash (16 qershor 2008). Maxhoranca në atë kohë u deklarua se Kreu i shtetit nuk ishte konsultuar më parë lidhur me kandidaturat që do t'i përcillte Kuvendit./m.m//a.gj/
KOMENTE