English

Prezantohet celulari i katërt në Shqipëri, quhet Plus Mobile

Tiranë, 25 Maj 2010 NOA – Është tashmë zyrtare, celulari i katërt në Shqipëri ka mbërritur dhe aktiviteti i tij, do të lajmërohet në një konferencë të posaçme për shtyp.

Burime zyrtare nga kompania PLUS/ Mobile 4AL sh.a, i thanë sonte agjencisë NOA se një ceremoni dhe një takim prezantues do të zhvillohet nesër në Tiranë.

“Drejtues dhe aksionerë të kompanisë do t’ju njohin me misionin, strategjinë dhe risitë që do të sjellë kjo kompani, si dhe do t’ju përgjigjen pyetjeve tuaja”, - thuhet në informacionin zyrtar të kompanisë PLUS/ Mobile 4AL.

Slogani i kompanisë, është “Plus, kompania e parë dhe e vetme shqiptare në tregun e telefonisë së lëvizshme” dhe motoja: Etnike, besueshmëri, guxim, risi, gëzim, përgjegjshmëri.

Në Shqipëri, aktualisht së bashku me Plus bëhen katër operatorë celularë. I pari ka qenë AMC (Albania Mobile Communication). AMC lindi në fund të vitit 1995 duke u bërë kompania e parë e telefonisë celulare në Shqipëri.

Deri në vitin 2000 celulari ishte “mollë e ndaluese” për shqiptarët dhe atë e përdornin vetëm qeveritarët dhe disa biznesmenë me tarifa shumë të larta.

Në vitin 2000, AMC u ble nga grupi Cosmote në Greqi dhe nisi menjëherë furnizimi i popullatës me këtë shërbim që gjeti përhapje të gjerë.

Në 4 gusht të vitit 2001 iu dha kompanisë Vodafone, licenca e celularit të dytë duke pasur dhe ajo një përhapje të shpejtë.

Rreth tre vjet më vonë, iu dha licenca kompanisë atëherë shtetërore Albtelecom për celularin e tretë që u “pagëzua” Eagle Mobile. Celulari i tretë pas privatizimit të kompanisë nga turqit, nisi punë më 13 mars 2008 duke pasur një zgjerim të shpejtë në të gjithë vendin.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA falënderon AMC, Vodafone, Eagle Mobile dhe Albtelecom, sponsorë të rëndësishëm të NOA, për mbështetjen që i japin informimit të shpejtë dhe të pavarur të shqiptarëve në Shqipëri dhe pjesën tjetër të botës.

Tani pritet që celulari i katërt të lëshojë sinjalin. Autoritetet shprehen se kjo është licenca e fundit për telefoni celulare në Shqipëri.

r.n/NOA

KOMENTE