English

Prokuroria, Mbi 22 276 Procedime Penale Gjatë Vitit 2009

-Deklaron Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në Komisionin e Ligjeve në Kuvend - TIRANE, 25 Maj/ATSH/.- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, theksoi sot, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit për veprimtarine vjetore të organit të akuzës, se gjatë vitit 2009 në organin e prokurorisë janë ndjekur penalisht 22 276 procedime penale. Gjatë fjalës së saj, Kryeprokurorja Rama tha se "viti 2009 evidenton progres në rritje të organit të akuzës në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese e ligjore". "Falë angazhimit të prokurorëve në drejtimet më kryesore të ushtrimit të funksioneve dhe detyrave të tyre, në veprimtarinë e organit që drejtoj, vihet re rritje e treguesve sasiorë dhe cilësorë të punës së organit të prokurorisë", tha ajo. Kryeprokurorja Rama veçoi si prioritete në punën e akuzës, goditjen e veprimtarisë së krimit të organizuar dhe terrorizmit, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, krimit në detyrë, krimit financiar dhe pastrimit të parave. Në përmbushjen e këtij angazhimi, vijoi ajo, "jemi fokusuar në rritjen e efektivitetit, nëpërmjet rritjes së cilësisë së hetimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional me agjencitë e specializuara në këtë fushë, si dhe në orientimin drejt një politike të ashpër dënimi për këto vepra penale". Prokurorja e Pergjithshme, Ina Rama, u ndal edhe tek puna e bërë në luftën kunder korrupsionit, duke vënë në dukje tendencën në rritje të procedimeve të regjistruara për këtë grup veprash penale, sidomos në tremujorin e katërt të vitit 2009, periudhë që përkon me ngritjen dhe fillimin e funksionimit në Prokurori të 6 njësive të përbashkëta hetimore kundër korrupsionit dhe krimit financiar. Sipas saj, për këto grup veprash në vitin 2009 janë ndjekur penalisht 129 procedime, me 89 të pandehur, prej të cilëve për 53 të pandehur është ngritur akuzë në gjykatë. Ka përfunduar gjykimi dhe janë dënuar 36 persona, për të tjerët pritet gjykimi i tyre. Personat e hetuar, gjykuar dhe dënuar për këtë grup veprash penale janë funksionarë publikë të niveleve të ndryshme, nga nëpunës të thjeshtë, të zgjedhur vendor e deri në nëpunës të lartë në institucione qëndrore. Gjatë raportimit për gjendjen e kriminalitetit, Kryeprokurorja Rama evidentoi tendencen ne rritje për disa grup veprash penale, si ato kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike në përgjithësi, vjedhjes, shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, etj, ndersa me tendence në ulje përmendi krimet si ato kundër jetës dhe shëndetit në tërësi, falsifikimit të dokumentave, kultivimit të bimëve narkotike, shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike, etj. Sipas raportit zyrtar, gjatë vitit 2009 në organin e prokurorisë janë trajtuar njoftime për vepra penale të ndodhura dhe janë ndjekur penalisht 22 276 procedime penale, prej të cilave janë regjistruar në total 16 910 procedime penale; janë mbartur nga viti i kaluar 4 743 procedime penale dhe janë rifilluar 623 procedime. Ndërkohe që është vendosur mosfillimi për 5 679 procedime (në prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë dhe prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda). /a.m/s.s./
KOMENTE