Promovohet Libri "Tregime" I Autorit Turk Aziz Nesin
TIRANË, 25 Maj/ ATSH- Suada Daci/- 27 tregime, që i përkasin penës së autorit të satirës turke, Aziz Nesin, janë përmbledhur në librin "Tregime", që u promovua sot në mjediset e Qëndrës së Kulturës Turke "Yunus Emre".
Libri "Tregime" është përkthyer nga Spartak Kadiu, i cili në një prononcim për ATSH-në tha se ka tre vjet që punon për përkthimin e këtij libri me 27 tregime të autorit turk Azis Nesin, i cili është një nga autorët më të njohur të Turqisë.
Sipas tij, "Aziz Nesin ka mbi 100 vepra, më tepër tregime, por edhe romane. Ai ka qënë një shkrimtar i njohur, por edhe i kritikuar nga sistemi turk i qeverisjes dhe ka marrë shumë çmime si Palma e Artë, etj".
Përkthyesi Spartak Kadiu u shpreh se "shumë nga këto tregime fituese si "Ceremonia e Kazanit", etj, janë të përmbledhura edhe në këtë libër".
"E veçanta e këtij autori është se ai është një autor satirik, dhe unë besoj që në librat e tij gjithkush mund të gjejë diçka nga vetja e tij", tha Kadiu.
Ndërsa Ambasadori turk në Tiranë, Hasan Asan, e cilësoi Aziz Nesinin si një nga autorët më të mirë turq, i njohur shumë edhe në Shqipëri. "Mesa duket paska pasur ende tregime të Aziz Nesinit që vijnë sot të përkthyera nga përkthyesi Spartak Kadiu", tha ai.
Ambasadori turk u shpreh në fjalën e tij "në këtë qëndër ne mund të organizojmë edhe përkthime të autorëve shqiptare në gjuhën turke", pasi sipas tij, "kjo qëndër po i jep një përmbajtje të re veprimtarisë së saj dhe afron më shumë lidhjet midis Shqipërisë dhe Turqisë".
Aziz Nesin u lind më 2 janar të vitit 1916 në Hejbeliada, afër një ishulli në Stamboll në detin Marmara. Ai u diplomua në shkolla e akademi ushtarake, ku shërbeu në qytete të ndryshëm në Anadoll.
Në vitin 1944 dënohet me 10 muaj burg për shkelje të disiplinës ushtarake dhe pas kësaj ngjarje jep dorëheqjen nga forcat e armatosura. Gjatë kësaj kohe bashkëpunon me gazetat 'Karagëz' dhe 'Jedigyn', ku fillon të zbulojë artin e të shkruarit.
Në vitin 1946 filloi botimin e revistës humoristike 'Markopasha', ndërsa në vitin 1948 nxori librin "Azizname", një libër me kritika të forta ndaj shtetit turk, ku gjykohet për 4 muaj, dhe më pas lihet i lirë pas një vendimi të gjykatës turke.
Ai shkroi një numër të madh romanesh e novelash, por mbetet i njohur nëpërmjet tregimeve të shkurtra, plot nerv e dinamizëm.
Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë, ku mund të përmendim "Ajo që mbeti pas", "Arrestimi i Fil Hamdiu", "Kolltuku", etj.
Aziz Nesin në vitin 1972 themelon edhe fondacionin 'Nesin', ku merr në kujdestari çdo vit 4 fëmijë të varfër dhe u siguron ushqim, strehë dhe edukim.
Shumë nga tregimet dhe romanet e tij kanë marrë çmime si 'Palma e Artë' në Itali me tregimin (Ceremonia e Kazanit), 'Qerpiku i artë' në Bullgari me tregimin "(Detyrë e Atdheut", çmimin 'Madarly' me romanin, "Jashari i gjallë as jeton dhe as s'jeton", etj. Vdiq në 6 korrik në 1995 në Foça nga një atak në zemër./s.s./