English

Raporti i Prokurorisë, Rama: Progres në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit

Tiranë, 25 Maj, NOA- Goditja ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, krimit në detyrë, krimit financiar dhe pastrimit të parave kanë shënuar hapa në rritje për Prokurorinë e Përgjithshme gjatë vitit 2009.

Ishte vetë Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, që në prezantimin e raportit vjetor të 2009-ës, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, vlerësoi sipas treguesve statistikorë se është arritur progres në rritjen e efektivitetit dhe forcimit të ligjshmërisë në ndjekjen penale si dhe të ndëshkueshmërisë së autorëve të këtyre veprave.

Sipas raportit të publikuar nga zyra e shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në vitin 2009, ka ushtruar ndjekje penale për katër organizata kriminale, të trafikimit të narkotikëve, rrëmbimit të personit, vrasjes me paramendim dhe vjedhjes me dhunë.

Gjithashtu, në vitin 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ushtruar ndjekje penale për 17 grupe të strukturuara kriminale, në trafikimin e narkotikëve, trafikimin e femrave për prostitucion, vjedhjen me dhunë, si dhe shkatërrimin e pronës me zjarr.

Analiza e detajuar evidenton tendencën në ulje të trafikimit të narkotikëve, ndërsa sa i përket transportimit, mbajtjes dhe shitjes së narkotikëve në analizë evidentohet tendencë në rritje nga viti në vit, përfshirë edhe vitin 2009.

Kryeprokurorja e Republikës, duke iu referuar treguesve statistikorë të vitit 2008, evidentoi në këtë prezantim të punës së Prokurorisë, tendencën në rritje të numrit të personave të akuzuar, atyre të dërguar për gjykim dhe të dënuar, që reflekton rritjen, sipas saj, të efektivitetit dhe të ligjshmërisë në ushtrimin e ndjekjes penale dhe ngritjen e akuzës për këtë vepër.

Mbi veprën penale të korrupsionit në detyrë, Prokurorja e Përgjithshme deklaroi në prezantimin e raportit të 2009-ës, se janë ngritur 665 procedime penale me 228 të pandehur, numërohen 180 persona të akuzuar në gjykatë e 127 syresh të dënuar.

Sipas zyrës së shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, raportohet se gjatë vitit 2009, në organin e prokurorisë janë ndjekur penalisht 22 276 procedime penale, prej të cilave janë regjistruar 16 910 procedime penale; janë mbartur nga viti 2008, 4 743 procedime penale dhe janë rifilluar 623 procedime, sikundër është vendosur mosfillimi për 5 679 procedime penale në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe atë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Në raport shkruhet se gjatë vitit 2009, nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, është ngritur dhe është përfaqësuar akuza në gjykatë për 6 622 procedime me 8 352 të pandehur. Gjithashtu, janë paraqitur 7 547 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal për persona nën hetim.

i.t/NOA

KOMENTE