English

Shqipëria Dhe Shqiptarët Kanë Arritur Në Një Stad Pjekurie Politike Që I Lejojnë Të Ecin Përpara Me Sukses

TIRANË, 25 Maj/ATSH/.- Kryeministri Berisha theksoi të martën, gjatë takimit me kryetarin e Partisë Liberale të Kosovës, zotin Gjergj Dedaj, njëkohësisht edhe zv/ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, se "Shqipëria dhe shqiptarët tashmë kanë arritur në një stad pjekurie politike dhe maturie demokratike që i lejojnë të ecin përpara me sukses, duke respektuar shtetin ligjor e Kushtetutën, si dhe njëkohësisht të drejtat e liritë e qytetarëve dhe të opozitës në veçanti". Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se Kryeministri Berisha i përcolli zyrtarit kosovar përshëndetjet e tij dhe të qeverisë shqiptare, si dhe shprehu vlerësim për kontributin e Partisë Liberale, vetë zotit Dedaj dhe familjes së tij për çështjen kosovare. Nga ana e tij, Kryetari i Partisë Liberale, Gjergj Dedaj, falenderoi Kryeministrin Berisha për angazhimin e madh, përkushtimin dhe punën dinjitoze në progresin, stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe tërë rajonit. Ndërkohë, ai vlerësoi jashtëzakonisht rolin e Shqipërisë dhe të Kryeministrit Berisha në realizimin e pavarësisë, në zhvillimin harmonik të shoqërisë dhe shtetit të ri kosovar, si dhe kontributin në prosperitetin dhe progresin perëndimor të Shqipërisë. /s.s./
KOMENTE