Shqipëria, Vendi Më Premtues Për Investimet E Huaja Në Europën Juglindore
- Kryeministri Berisha pret përfaqësuesin e grupeve "Intralot" dhe "Intracom", Costantinos Antonopoulos -
TIRANË, 25 Maj/ATSH/.- "Shqipëria është vendi më premtues i Europës Juglindore dhe një vend i sigurt për investimet e huaja", tha sot Costantinos Antonopoulos, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë "Intralot" dhe anëtar i Bordit Drejtues të kompanisë "Intracom", gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, z. Antonopoulos i shprehu Kryeministrit Berisha interesin e grupeve që përfaqëson për të shtrirë më tej aktivitetet e tyre në Shqipëri.
Sipas tij, "është performanca e mirë ekonomike dhe zhvillimi impresiv i Shqipërisë, që ka ngjallur interes të këtyre grupeve të mëdha për të shtrirë aktivitetin edhe në Shqipëri". Z. Antonopoulos u shpreh se ishte shumë i impresionuar me atë që kishte parë, në këtë vizitë të parë në Shqipëri.
"Interes i Grupit 'Intralot' është pjesëmarrja në lotarinë nacionale që do të hapet së shpejti", tha z. Antonopoulos, duke shprehur besimin për suksesin dhe transparencën e procesit. Ai theksoi se kompania e tyre do të konkurojë si një partnere investuese në këtë projekt.
Kryeministri Berisha, pasi prezantoi situatën e suksesshme ekonomike të Shqipërisë edhe në kohën e krizës globale, siguroi se "qeveria shqiptare po vazhdon të thellojë reformat dhe themelet e sukseseve të deritanishme".
Ai falënderoi përfaqësuesin e këtyre grupeve të mëdha për vendimin e tyre për të hyrë me investime në Shqipëri, në forma të ndryshme, si dhe garantoi mbështetjen e qeverisë në projektet investuese, si dhe transparencën dhe zbatimin konseguent të ligjit në proceset me garë.
Projektet për të cilat janë të interesuara këto dy kompani, kanë të bëjnë me qeverisjen elektronike, me produkte të teknologjisë së telekomit, sisteme mbrojtëse elektronike, sisteme elektronike për administrimin publik, si dhe në fushën e ndërtimit./m.m//a.ke/