English

Spanjë - Kreytarët E Bashkive Dhe Deputetët Reduktojnë Pagat Në Kuadër Të Masave Shtrënguese Ekonomike

MADRID, 25 maj /ATSH-AFP/ - Kryetarët e bashkive dhe deputetët spanjollë vendosën të reduktojnë pagat e tyre duke mbështetur masat shtrënguese të njoftuara javën e kaluar nga qeveria për reduktimin e deficitit publik, njoftoi sot Parlamenti dhe Federata e Bashkive. Liderët e të gjitha grupeve parlamentare kanë rënë dakort për një reduktim me 10 për qind të pagave bazë të të gjithë deputetëve duke nisur nga muaji qershor dhe masat do të miratohen në ditët që do të vijnë. Paralelisht, organi drejtues i Federatës spanjolle të bashkive dhe provincave (FEMP) vendosi me unanimitet aplikimin e reduktimit të pagave për të gjithë funksionarët në vend duke variuar nga 0,25 për qind në 15 për qind, sipas shumës të të ardhurave. Kryetarët e bashkive që marrin një pagë sa ajo e kryeministrit Hose Luis Rodriguez Zapatero apo sa ministrat e tij do ta reduktojnë pagën e tyre me 15 për qind, një ulje fillestare e njoftuar të enjten e kaluar për zyrtarët e qeverisë spanjolle./ /ec/ a.jor.
KOMENTE