English

Sport-Futboll/ Artan Bushati, "Polonia Një Test Serioz Për Kombëtaren U-21"

- Shqipëria U-21 do të zhvillojë nesër në Fier një miqësore me Poloninë e kësaj moshe - TIRANË, 25 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - Shqipëria U-21 do të luajë një miqësore me Poloninë nesër në orën 17:00 në stadiumin "Loni Papuçiu" të Fierit. Trajneri i përfaqësueses shqiptare U-21, Artan Bushati, tha sot pas stërvitjes së fundit të skuadrës, se "ndeshja me Poloninë është një test serioz. Ashtu sikundër edhe ne, Polonia është skualifikuar nga Europiani i fundit, por kundërshtarët, megjithatë janë të fortë". Bushati pranoi se një bërthamë e mirë lojtarësh është krijuar tashmë në gjirin e U-21. "Kjo dhe për faktin se kemi disa lojtarë që tashmë janë piketuar nga trajneri i përfaqësueses Kuzhe. Madje Bekim Balën e kemi marrë me mirëkuptim, duke mos e lejuar të shkojë në Mal të Zi", tha Bushati. Shpresat fituan të hënën 2-1 testin me Vllazninë U-19. Bushati theksoi se "forma e portierit Stiv Frashëri, që luan tek Aris Selanik në Greqi dhe Guido Tepshit, që aktivzohet tek Bohemians 1905 në Çeki, ishin një befasi". Ndeshja me Polonine shihet edhe si një test i mirë përpara përfundimit të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2011, që do të mbyllet me ndeshjen në transfertë ndaj Azerbajxhanit, më 4 shtator 2010. Shqipëria pas shtatë ndeshjesh ndodhet në vendin e parafundit me 4 pikë, duke pasur në bilancin e saj: 1 fitore me Azerbajxhanin, 1 barazim me Austrinë dhe 5 humbje, nga të cilat 2 me Skocinë, 1 me Austrinë dhe 2 me Bjellorusinë. Grupi 10 kryesohet nga Skocia dhe Bjellorusia, të dyja nga 12 pikë. Austria ndodhet në vendin e tretë me 10 pikë, Shqipëria e parafundit me 4 pikë dhe Azerbajxhani i fundit me asnjë pikë./s.s./
KOMENTE