Sport-Futboll/ Kuzhe Zbardh Formacionin Për Ndeshjen Me Malin E Zi
-E veçanta kundër Malit të Zi: Mbrojtësi Andi Lila në rolin e një mesfushori shkatërrues -
TIRANË, 25 Maj/ATSH- Gjergji Mima/- Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ka zbardhur formacionin që do të hedhë në fushë në miqësoren e sotme (ora 20:15) kundër Malit të Zi, ndeshja e dytë miqësore kundër malazezëve (e para në vitin 1946) dhe njëherësh e dyta për këtë vit (e para ajo kundër Irlandës së Veriut, mars 2010).
Në portë do të luajë Isli Hidi. Reparti i mbrojtjes do të përbëhet nga Ansi Agolli në të majtë, Lorik Cana dhe Debatik Curri, të dy në qendër dhe Armend Dallku në të djathtë.
Në mesfushën difensive do të luajnë Andi Lila dhe Ervin Bulku, ndërkohë që si anësorë do të jenë Ervin Skela në të majtë dhe Klodian Duro në të djathtë. Në sulm, Hamdi Salihi do të jetë pas Erjon Bogdanit.
Në ndeshjen e fundit miqësore (në Tiranë), Shqipëria fitoi 1-0 me Irlandën e Veriut, gol i Ervin Skelës, ndërkohë që në sfidën e fundit në transfertë, Kombëtarja barazoi pa gol me Estoninë në Talin (nëntor 2009).
Pas ndeshjes me Malin e Zi, Shqipëria do të luajë kundër Andorrës, më 2 qershor 2010 (në Durrës). Në ndeshjen e vetme kundër tyre, përfaqësuesja jonë ka humbur 2-0 (2002)./s.s./