Sport-Futboll/ Shqipëria Shkëlqen Në Podgoricë, Tani Radha E Andorrës
TIRANË, 25 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Përfaqësuesja shqiptare fitoi 1-0 në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Podgoricë, ndaj përfaqësueses së Malit të Zi.
Golin e fitores për ekipin shqiptar e shënoi sulmuesi shkodran i Rapidit të Vjenës në kampionatin austriak, Hamdi Salihi, që në minutën e 80-të shfrytëzoi mjaft mirë një rast në zonën malazeze. Kjo ishte një fitore edhe në aspektin personal të Kuzhes, i cili fitoi derbin me trajnerin kroat të Malit të Zi.
Trajneri kroat i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe ka hedhur në fushë një formacion me skemë 4-2-3-1. Në portë luajti Isli Hidi. Reparti i mbrojtjes u përbë nga Ansi Agolli në të majtë, Lorik Cana dhe Debatik Curri, të dy në qendër dhe Armend Dallku në të djathtë.
Në mesfushën difensive luajtën Andi Lila dhe Ervin Bulku, ndërkohë që tre lojtarët pas sulmuesit kryesor Erjon Bogdani, ishin Ervin Skela në qendër, Klodian Duro në të djathtë dhe Hamdi Salihi në të majtë.
Loja filloi me më tepër raste nga përfaqësuesja shqiptare, ku Bogdani dhe Salihi humbën dy raste të mira për shënim, pasi nuk ndaluan siç duhej topin që u erdhi nga mesfusha.
Fantazisti i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela u detyrua të lërë fushën e lojës në minutën e 18-të, pasi gjatë një dyluftimi me mbrojtesin malazez Dzudoviç u gjakos në kokë. Stafi mjekësor i Kombëtares nuk e lejoi Skelën të rifutej në lojë dha ai u zëvendësua nga Jahmir Hyka, në këtë moment ndryshoi dhe skema e lojës së Shqpërisë, që kaloi me dy sumues Salihin dhe Bogdanin.
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0 ndërkohë që kuqezinjtë Lorik Cana dhe Ervin Bulku u ndëshkuan me kartonë të verdhë.
Me të nisur pjesa e dytë, Vuçiniç ka pasur një mundësi të shkëlqyer për të kaluar ekipin përpara pas një krosi nga krahu i djathtë, por që ka përfunduar vetëm pak centimetra jashtë shtyllës së majtë të Hidit.
Ndërkohë që Agolli është bërë lojtari i tretë i kombëtares shqiptare që është "zverdhur" pas vetëm 2 minutash lojë.
Në minutën e 62-të, Duro u zëvendësua për Muzakën dhe Bogdani për Kapllanin. Me këto lëvizje Kuzhe nuk e ndryshoi skemën e lojës 4-4-2.
Shansin më të mirë gjatë këtyre minutave e pati Agolli. Goditja spektakolare e Ansit erdhi nga krahu i majtë jashtë zone, duke arritur të mposhtë edhe portierin, por fatkeqësisht topi përfundoi në traversë.
Minutat kalojnë, ndërsa tek skuadrat vihen re shenjat e para të lodhjes. Do të vinte minuta e 80-të, kur një top i ardhur nga krahu i djathtë për Hamdi Salihin është ulur në mënyrë perfekte nga ky i fundit, i cili me një goditje të kalibruar shkëlqyeshëm nga jashtë zone ka përshëndetur rrjetën e Malit të Zi.
Në fund të 90 minutave, padyshim Cana ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Monumental mund të quhet vlerësimi për mesfushorin kosovar të Sandërlendit, i cili nuk e la në asnjë moment Vuçiniçin të depërtonte drejt zonës së Hidit.
Tashmë ekipi shqiptar do të zhvillojë edhe miqësoren ndaj Andorrës në 2 qershor në Shqipëri për të mbyllur fazën përgatitore përpara eleminatoreve të Kampionatit Evropian, Euro 2012, që do të startojnë në shatr ndaj Rumanisë.
Mali i Zi - Shqipëri 0-1
Shënues: Salihi 80'
Miqësoret e Shqipërisë me Kuzhenë
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0
Mali i Zi-Shqipëri 0-1