Sport-Merkato/ Dinamo, Merkato Cilësore Për Ligën E Kampioneve
E
TIRANË, 25 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, po përpiqet të ndërtojë një formacion sa më konkurrues për të përballuar turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, ku padyshim edhe kundërshtarët janë më të fortë.
Teksa pritet që trajneri që i dha titullin e 18-të kampion Dinamos, Shkëlqim Muça, t'ia lërë vendin argjentinasit Luis Manuel Blanko (pritet të mbërrijë në Tiranë me pesë futbollistë argjentinas), burime nga klubi blu bëjnë të ditur mbërritjen më 5 qershor (data e fillimit të stërvitjes së Dinamos) të qendërmbrojtësit të Partizanit të Beogradit, 22-vjeçarit Marko Jovanoviç (1.89 cm), i "sponsorizuar" nga serbi i Dinamos, Marko Putinçanin.
Por, kampionët në fuqi të Dinamos kërkojnë në merkaton verore edhe blerje te tjera. Emrat e lakuar janë të shumtë, por ende asnjë konfirmim zyrtar. Në plan të parë, nëse i bën një skanim grupit blu, vihet re qartë se mungon një mbrojtës i majtë. Nikolas Del Monte ka deklaruar haptazi se nuk do të kthehet më tek blutë. Argjentinasit me nr.8 nuk i kanë kërkuar rinovim të kontratës, ndryshe nga Rafael Soza dhe Lukas Malakarne, ndërsa Maksimiliano Timpanaro është ende në kontratë.
Nga drejtuesit blu është përmendur emri i Ansi Agollit, i cili flitet se është në negociata me Dinamon. Por duket se afrimi i parë për të siguruar këtë fashë të prapavijës blu, do të jetë pikërisht 21 vjeçari i Flamurtarit, Franc Veliu. Mëngjarashi vlonjat preferohet nga trajneri argjentinas Luis Manuel Blanko, që do të mbërrijë më 1 qershor në Tiranë së bashku me disa futbollistë bashkëkombas dhe duket se nga rolet dhe cilësitë e tyre do të kondicionohet edhe merkatoja e dinamovitëve.
Sa më shumë ditë kalojnë, aq më shumë vështirësohet situata për Dinamon, pasi në një kompeticion si Champions League formatimi i grupit duhet të fillojë sa më shpejtë. Emrat e kundërshtarëve që mund të bien në turin e dytë janë tepër të frikshëm karshi nivelit të kampionatit shqiptar të futbollit./s.s./