Starton Edicioni I Gjashtë I Konkursit Mbarëkombëtar Zërat Lirikë "Jorgjia Truja"
TIRANË, 25 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Edicioni i gjashtë i konkursit mbarëkombëtar të zërave lirikë, që mban emrin e këngëtares së madhe lirike shqiptare, Jorgjia Truja, dhe që këtë vit përkon me 100 vjetorin e lindjes së Artistes së Popullit, Lola Gjoka, startoi sot në sallën e TKOB në Tiranë.
11 finalistë të grupuar në tre kategori (A, B, C) sipas moshës, përfaqësojnë një hapësirë të madhe gjeografike mbarëshqiptare. Ata vijnë nga shkolla e muzikës së Prizrenit, Prishtinës, Durrësit, Tiranës, Korçës etj, dhe nga Akademia e Arteve-Tiranë, sikurse dhe nga Fakulteti i Muzikës së Universitetit të Prishtinës.
Juria e këtij konkursi kryesohet nga Drejtori i TKOB, Zhani Ciko, i cili drejton edhe orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Koncertin e Finalistëve. Pjesë e jurisë janë dhe personalitete ndërkombetare të muzikës si sopranoja amerikane Barbara Pearson, sopranoja italiane Paola Reali, sopranoja kosovare Elife Podvorica-Jashari, etj.
Përveç çmimeve të deklaruara për tre kategoritë sipas grupmoshave, në edicionin e këtij viti do të jepet edhe çmimi special "Quinzio Petrochi" për interpretimin më të mirë të lirikës italiane, të cilin do ta japë personalisht sopranoja e famshme Paola Reali në cilësinë e anëtares së juries, sikurse dhe çmimi "Ramiz Kovaçi" , i cili do t'i jepet baritonit më të mirë.
Gjithashtu në nder të artistes Lola Gjoka, do të jepet edhe çmimi special "Lola Gjoka" për interpretimin më të mirë të këngës popullore.
Edicioni i VI i Konkursit Mbarëkombëtar të Zërave Lirikë "Jorgjia Truja" synon të promovojë artistët e rinj shqiptarë nëpërmjet stimulimit aktiv artistik.
Edicioni i këtij viti mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nën kujdesin e titullarit të kësaj ministrie, Ferdinand Xhaferaj, si dhe me mbështetjen e Prohelvetia, RTSH, TKOB, AAB-Tiranë, Akademisë së Muzikës Prishtinë dhe Shkollës Kombëtare Artistike "Jordan Misja"./s.s./