Vlore: Mot I Kthjellet, Pune Normale Ne Port
VLORË, 25 maj/ATSH-H.Koçi/.- Kushtet atmosferike sot në gjirin detar të Vlorës parashikohet të jenë të mira, ndërkohë që vlerat e temperaturave do të shënojnë një rritje të lehtë. Moti do të jetë i kthjellët dhe me zhvillime të pakta resh, gjë që do të shoqërohet me kushte të favorshme lundrimi për të gjiha mjetet.
Proceset e përpunimit të mjeteve lundruese në port po realizohen normalisht, duke përfshirë edhe tragetin e linjës detare Brindisi-Vlorë, i cili është ankoruar në kalata.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Perëndim-Veriperëndim, me shpejtësi që do të variojë nga 2-4 m/sek, deri në 6-8 m/sek në afërsi të bregut të detit.
Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 24-26 gradë celsius dhe ato minimale në 13-15 gradë celsius. Valëzimi parashikohet të jetë 0-1 ballë brenda gjirit detar dhe 4-5 ballë në det të hapur.
Trageti "Red Star" i linjës detare Brindisi-Vlorë, do të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian në orët e mesditës. /a.ke/