English

Zhvillimi I Shoqërisë Civile Sjell Përfitime Për Demokracinë Shqiptare

TIRANË, 25 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Përmirësimi dhe zbatimi i legjislacionit, rritja e pjesëmarrjes së publikut në procesin e vendimmarrjes dhe rritja e përgjegjshmërisë dhe imazhit të organizatave të shoqërisë civile, ishin disa nga temat e trajtuara në konferencën e sotme me temë "Quo vadis shoqëria civile?", organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Delegacionin e BE-së. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, në fjalën e tij, pasi vlerësoi rolin e shoqërisë civile në demokratizimin e shoqërisë shqiptare, vuri në dukje disa nga problemet të cilat pengojnë ecjen përpara të saj në Shqipëri si, çështjet fiskale, mungesa e kapaciteteve për menaxhimin e brendshëm etj. "Bashkimi Europian e shikon forcimin e shoqërisë civile si të domosdoshëm për demokratizimin dhe integrimin. Në rastin e Shqipërisë, ne mbështesim financiarisht shoqërinë civile me një shumë prej afro 2 milion euro në vit, fonde që i jepen OJF-ve të ndryshme që punojnë në fushën e mbrotjes së mjedisit, luftën kundër korrupsionit, mbështetjen e medias së pavarur, ndihmën ndaj grupeve vulnerabël etj", tha ambasadori Lohan. Sipas tij, tashmë është koha që të dëgjohet zëri i shoqërisë civile, sa i takon progresit të Shqipërisë dhe nivelit të arritjeve të saj. "Përfaqësuesit e saj duhet të punojnë mirë, të jenë më transparentë dhe të respektojnë parimin e përgjegjshmërisë", theksoi Lohan. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, në fjalën e tij nënvizoi se ndonëse në Shqipëri janë të regjistruara rreth 600 OJF, vetëm shumë pak prej tyre kryejnë në të vërtetë aktivitete që mund t'i shohim. "Inkurajimi i ndërkombëtarëve për t'i parë OJF-të më të lidhura me njëra-tjetrën në formën e një rrjeti, ka sjellë rezultate shumë modeste. Komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme të shoqërisë civile, por janë aktorët e saj ata që duhet të marrin në dorë drejtimin e ta zhvillojnë këtë sektor në interes të të gjithë shqiptarëve", u shpreh Bosch. Në konferencën e sotme merrnin pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave joqeveritare, zyrtarë të qeverisë qendrore e vendore, donatorë etj. /a.ke/
KOMENTE