English

Ahmadinexhad Nxit Obamën Dhe Medvedevin Të Mbështesin Marrëveshjen Iran-Turqi-Brazil

TEHERAN, 26 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinexhad nxiti sot SHBA-së dhe Rusisë të mbështesin një marrëveshje bërthamore të nënshkruar me Turqinë dhe Brazilin, duke e cilësuar si ''mundësinë e fundit'' për zgjidhjen e konfliktit bërthamor me fuqitë e mëdha. "Deklarata e Teheran, lidhur me një marrëveshje për shkëmbim lënde djegëse bërthamore, përbën mundësinë më të mirë, duke qenë se kemi arritur një hap të rëndësishëm përpara dhe vendosur mbi gjëra shumë të rëndësishme. Nuk ka më asnjë justifikim", deklaroi Ahmadinexhad gjatë një interviste televizive, që u drejtohej liderëve amerikanë dhe rusë. Presidenti amerikan, Barack Obama "duhet të marrë në konsideratë faktin se nëse nuk e shfrytëzon këtë mundësi, iranianët nuk do t'i japin një të dytë si ky", theksoi ai, ndërkohë që fuqitë e mëdha perëndimore po përdorin sanksione të reja kundër Iranit, lidhur me programin e tij të shumëpërfolur bërthamor. Teherani i ka dorëzuar më 24 maj një dokument AIEA-së ku informohej zyrtarisht lidhur me marrëveshjen Turqi-Brazil-Irani të nënshkruar më 17 maj. Marrëveshja e nënshkruar më 17 maj në Teheran parashikon shkëmbimin në territor turk të 1 200 kilogramëve uranium iranian të pasuruar lehtësisht deri në 3.5 për qind kundrejt 120 kilogramëve lëndë bërthamore djegëse të pasuruar rreth 20për qind, të siguruar nga fuqitë e mëdha dhe të destinuar për reaktorin e kërkimeve bërthamore me qëllime mjekësore të Teheranit. Pavarësisht ofertës së re, SHBA arriti javën e kaluar të bindë Kinën dhe Rusinë të mbështesin një projektrezolutë të Këshillit të Sigurimit në OKB që parashikon një raund të katërt sanksionesh kundër Iranit./ /i.p/
KOMENTE