English

Aksident/Kaczynski - Poloni - Pilotët Shpërfillën Paralajmërimet Për Të Mos Ulur Avionin

VARSHAVË, 26 maj /ATSH-AFP/ - Pilotët e avionit me të cilin udhëtonte presidenti polak, Lech Kaczynski që u rrëzua muajin e kaluar në Smolensk, Rusi, kanë neglizhuar disa herë sinjalizimet automatike të aparaturave paralajmëruese të avionit, deklaroi sot përfaqësuesi polak në komisionin e hetimit të aksidentit. "Sipas mendimit tim, pas disa përpjekjesh, pilotët nuk e kanë marrë në konsideratë paralajmërimet automatike të aparaturave të avionit që tregonin për afërsinë e pistës dhe për faktin që avioni duhej të ngrihej. Këto paralajmërime u shpërfillën", deklaroi për të përditshmen ''Rzeczpospolita'' Edmund Klich, përfaqësuesi i Polonisë në komisionin e hetimit të krijuar nga Rusia, që ka si detyrë të hetojë lidhur me aksidentet ajrore në 12 vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. "Kur u ndodhën në 100 metra lartësi, ata duhet të mendonin për të fituar lartë sërish në vend që të konsideronin mundësinë për të ulur avionin në ato kushte meteorologjikisht shumë të vështira në aeroportin e Smolenskut, në perëndim të Rusisë'', deklaroi ai. Dje, Klich konfirmoi se shefi i forcave të armatosura ajrore, gjenerali Andrzej Blasik, ndodhej në kabinën e pilotit në momentin e aksidentit të avionit presidencial, ndërkohë që shtoi se asgjë nuk tregonte se ky mund të kishte ushtruar presion të drejtpërdrejt mbi pilotët./ /i.p/
KOMENTE