Tiranë, 26 maj, NOA – Megjithë historitë e njohura të skemave piramidale në vitin 1997, shqiptarët ende vazhdojnë te besojnë në mënyrat e shpejta të pasurimit. Policia e Shtetit u ka bërë sot apel qytetarëve që të kujdesen për kursimet e tyre dhe të mos paguajnë në skema financiare të cilat marrin paratë.
Policia i referohet rastit të pak ditëve më parë, ku u arrestuan dy qytetarë nga Kosova; Valon Bajram Kyçyku, 35 vjeç, lindur dhe banues në Prizren dhe Burim Elez Haxhiollli, 31 vjeç, lindur dhe banues në Suharekë.
Por megjithë denoncimin e skemës së marrjes së parave, ku qytetarëve u kërkoheshin 2.290 euro për t’u kthyer më pas shuma më të mëdha, sipas policisë qytetarë të tjerë kanë aplikuar duke dhënë para në këtë skemë.
“Me keqardhje konstatojmë që edhe pse janë njoftuar qytetarët për këtë veprimtari të paligjshme duke i ftuar ata që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien viktimë e mashtrimeve të këtij lloji, ende persona të ndryshëm vazhdojnë të mashtrohen nga persona të tjerë, lidhje të personave të arrestuar, dhe po paguajnë të njëjtat shuma në Shkup të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nisur nga kjo, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, u bën dhe një herë apel qytetarëve që të mos bien viktimë e kësaj skeme që do të çonte në humbjen e parave të tyre. Ppolicia shton në njoftimin e saj, shtetasit e përfshirë në skemë duhet “ të mos ftojnë persona të tjerë për ti anëtarësuar në këtë shoqëri duke u kthyer nga viktima në pjesë dhe bashkëpunëtor të kësaj skeme mashtrimi, por ti denoncojnë ato pranë Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit”.
Pak ditë më parë policia arrestoi dy qytetarët nga Kosova më datën 6 maj, në operacionin “Rruga pa sukses”. Dy personat aktualisht janë ende me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Policia ka zbardhur dhe skemën e funksionimit të mashtrimit. Sipas saj dy personat e arrestuar “mashtronin qytetarët shqiptarë duke i rekrutuar, sipas një skeme mashtruese me pretekstin e trajnimeve në fushën e biznesit duke fituar prej çdonjërit prej tyre 2.290 uuro për tu anëtarësuar në këtë shoqëri, duke u premtuar pasurimin e tyre nëpërmjet rekrutimit të qytetarëve të tjerë. Këtë aktivitet të paligjshëm këta shtetas e kanë kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection” me Seli në Shkup Maqedoni”.
m.xh/NOA