English

Basha në Bruksel për vizat, Malstrom pritet të shpallë propozimin pozitiv të BE

Bruksel, 26 Maj 2010 - Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, tha sot se propozimi që Komisioni Evropian pritet të bëjë publik të enjten për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, do të jetë pozitiv.

Duke folur për BBC-në të mërkurën pasdite, pas takimeve që zhvilloi në Bruksel, zoti Basha tha se brenda vitit 2010 pritet të merret edhe vendimi politik për heqjen e vizave me vendet e Shengenit.

Duke folur me radion BBC seksioni shqip, z.Basha u ndal në atë se çfarë shënonte në procesin e heqjes së vizave propozimi që pritet të bëjë sot publik Komisioni Evropian: “Sot, Komisioni Europian, nëpërmjet procedurave të paracaktuara kthen raportin e tij në një propozim, i cili ashtu siç jemi shprehur, presim të jetë një propozim pozitiv që rekomandon që Shqipërisë t'i hiqen vizat, pra qytetarëve shqiptarë t'u hiqen vizat dhe Shqipëria të përfitojë nga rregullorja e posaçme e Bashkimit Europian që rregullon se cilat vende mund të udhëtojnë pa viza në territoret e hapësirës së Shengenit”.

Dhe kur thoni 'presim që të jetë një raport pozitiv', nuk prisni ndonjë surprizë?

Raporti ka qenë shumë pozitiv, është ndarë me publikun shqiptar nëpërmjet mediave dhe, në bazë të këtij raporti, ne sot presim një propozim pozitiv nga Komisioni, drejtuar Këshillit Europian, Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Europian ku rekomandon heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Dhe kjo do të konfirmohet pastaj zyrtarisht edhe në Samitin e Sarajevës që fillon në qershor?

Besoj se po. Por besoj se të enjten komisionerja për çështjet e brendshme, Cecilia Malstrom, do ta bëjë të ditur për opinionin publik propozimin e Komisionit, propozim i cili do të përmbante në skenarin e parashikuar nga Komisioni, në radhë të parë një propozim pozitiv për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë dhe të Bosnjë-Hercegovinës dhe, duke ndjekur formatin e të njëjtit rekomandim që u bë edhe për Serbinë dhe Malin e Zi, duke evidentuar dy apo tri çështje të cilat do të jenë në verifikim gjatë muajve qershor dhe korrik, momente që i paraprijnë vendimmarrjes nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian.

Dhe cilat janë konkretisht këto dy-tri çështje që do të ndiqen në muajt në vazhdim?

Unë mund të flas vetëm në bazë të bisedave që kam bërë sot me zyrtarë europianë.

Natyrisht, gjithçka do të bëhet publike të enjten nga komisionerja Malstrom. Nuk bëhet fjalë për të papritura, bëhet fjalë për ato dy apo tri çështje që u evidentuan edhe nga raporti.

Në radhë të parë është hartimi i një strategjie për riintegrimin e të riatdhesuarve, çështje kjo që mori një dimension të veçantë për shkak të përvojës jo të mirë në fillim me Serbinë dhe Maqedoninë, ku patëm një numër qytetarësh që kërkuan azil në vendet anëtare.

Por për këtë çështje mund t'ju informoj me kënaqësi që, së shpejti, komiteti ndërministror për liberalizimin e vizave i kryesuar nga kryeministri do të marrë në shqyrtim draftin e kësaj strategjie të hartuar kryesisht nga ekspertët e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe ekspertë të tjerë.

Pra, ne do t'i paraprijmë në një farë mënyre kësaj çështjeje, duke i vërtetuar brenda dy javëve Komisioni Europian hartimin e kësaj strategjie, sipas parametrave europianë. Një çështje tjetër që nuk mund të thuhet se fillon apo mbaron me procesin e liberalizimit të vizave, është ajo e vazhdimit të përmirësimit strukturor të kapaciteteve në luftë kundër krimit dhe korrupsionit.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë resurse të mjaftueshme financiare dhe personal, në veçanti në fushën e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, narkotrafikut dhe në fushën e një njësie të re të sapokrijuar për konfiskimin e aseteve kriminale.

Dhe kjo na sjell tek çështja e tretë, që është zbatimi i ligjit për konfiskimin e aseteve kriminale ku, po kështu Shqipëria, edhe sot, por edhe në javët që vijnë do të raportojë progres strukturor, pra në ngritjen e strukturave institucionale në Policinë e Shtetit, por edhe në Prokurori, të cilat po merren me çështje konkrete.

Ky është progresi substancial, çështje konkrete përsa i përket konfiskimit të aseteve kriminale. Ia vjen të theksoj, përsa i përket kësaj çështjes së tretë, që këtu kemi të bëjmë jo vetëm me një kriter të përmbushur, por edhe me një arritje të Shqipërisë e cila, në një farë mënyre, hap rrugën edhe për vende të tjera të Europës Jug-Lindore, pasi Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan dhe nga të paktat vende në hapësirën europiane që ka një ligj të tillë.

Në këtë kuadër, jo vetëm që ne përmbushim një angazhim tonin karshi Komisionit Europian, por, siç thashë, vendosim një standard i cili, i zbatuar me rigorozitet, me siguri që do të shërbejë si një përvojë e mirë edhe për vendet e tjera të rajonit.

Megjithatë, në një plan më të përgjithshëm, zoti Basha, në Shqipëri ka edhe një krizë politike dhe po bëhen përpjekje për daljen nga kjo krizë. Sa e pranishme është fjala "krizë" edhe në kontaktet që keni pasur ju sot në Bruksel?

Për sa i përket kësaj çështjeje, terminologjia e Brukselit është mjaftuar me terminologjinë "ngërç politik" dhe mendoj se ato që janë shprehur deri tani edhe nga vetë Komisioni Evropian tregojnë qartë se, për sa i përket Brukselit pritet që palët të ecin përpara dhe t'i japin fund këtij ngërçi i cili dominon skenën politike prej disa kohësh.

Maxhoranca është dhe mbetet e vendosur, siç është shprehur edhe kryeministri Berisha, që të ofrojë gjithçka, ashtu si edhe ka ofruar, për arritjen e një konsensusi, për sa kohë që ky konsensus nuk shkel parimet bazë kushtetuese dhe ligjore, pra normat e shtetit ligjor, që janë një pasuri e Shqipërisë, pasuri e demokracisë shqiptare, dhe padyshim një pasuri e përbashkët e ngritur me kontributin e Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në këto 20 vjet.

Ju jeni një zyrtar i lartë në qeveri, dhe në Partinë Demokratike gjithashtu. A mendoni se do të gjendet vërtetë ndonjë zgjidhje brenda kësaj periudhe dy-tre javore që u është lënë palëve kryesore?

Unë besoj se, nëse ka vullnet të mirë nga palët, zgjidhja nuk ka pse të vonojë as dy apo tre javë.

E rëndësishme është që palët t'i përmbahen parimeve bazë ku nuk mund të ketë asnjë negociatë, asnjë përsiatje, asnjë konsideratë, e cila do të binte ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë, apo me vendimet e formës së prerë, siç janë ato të Gjykatës Kushtetuese.

Por mendoj, nga ana tjetër, se ka mjaftueshëm hapësira - siç e kanë evidentuar kohë pas kohe partnerët tanë, kujtoj këtu komitetin presidencial të Këshillit të Evropës - që të shqyrtohen të gjitha mundësitë, dhe të bëhet e gjithë transparenca e nevojshme, siç i takon një vendi demokratik, një vendi ku sundimi i ligjit dhe shteti ligjor, demokracia funksionale, janë tashmë objektiva të arritura dhe ku kërkohet konsolidimi i tyre i mëtejshëm nëpërmjet një sjelljeje institucionale, parlamentare të të gjitha palëve.

Do të dëshiroja t'i kthehesha çështjes së vizave. Si qytetar shqiptar, që kam marrë një pasaportë biometrike nga ju, dhe pres të udhëtoj shumë shpejt pa vizë një ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian. Kur mund të jetë një afat i besueshëm?

Ajo që ndodh sot është fundi i etapës vendimtare teknike. Propozimi pozitiv i Komisionit hap rrugën për vendimmarrjen politike nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian.

Natyrisht që do të dëshironim që kjo vendimmarrje të përfundonte sa më shpejt, por duke marrë parasysh edhe faktin që vera po vjen, duhet të jemi realistë dhe besoj se kjo vendimmarrje nuk do të vonojë dhe do ta hapë rrugën që shqiptarët të lëvizin pa asnjë pengesë, të lirë dhe pa viza në hapësirën Shengen brenda vitit 2010.

E rëndësishme është që kjo vendimmarrje pozitive plotëson një nga angazhimet kryesore të qeverisë së kryeministrit Berisha që ishte: vendimmarrje pozitive brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë.

Po kështu, vërej me kënaqësi se presidenca spanjolle, dhe posaçërisht Ministri i Brendshëm, Alfredo Perez Rubalcaba, po e mbajnë premtimin e tyre, sepse pres që në mbledhjen e ministrave të Brendshëm më 3-4 qershor, propozimi pozitiv i Komisionit Evropian të hyjë në axhendën e ditës dhe të kryhet leximi i parë, çka natyrisht do të shkurtojë kohën dhe do të hapë rrugën që në mbledhjen e tetorit ose në mbledhjen e nëntorit të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian të merret edhe vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

FUND

KOMENTE