English

Berisha: Në Takimin E Strasburgut Nuk Ka Pasur Asnjë Lloj Ultimatumi Ndaj Qeverisë

- Kryeministri Berisha shprehet në mbledhjen e qeverisë se doktrina e ultimatumeve është e papajtueshme me dialogun dhe kompromisin - TIRANË, 26 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi të mërkurën se "nuk ka pasur asnjë lloj ultimatumi ndaj qeverisë shqiptare" në takimin e Strasburgut, që u zhvillua javën e kaluar me pjesëmarrjen e tij, kryesocialistit Edi Rama dhe ndërkombëtarëve për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri. Kryeministri ka hedhur poshtë zërat se në takimin e Strasburgut është lënë një afat dy javor për zgjidhjen e ngërçit politik në vend që lidhet me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar, kërkuar nga opozita dhe që për këtë qëllim zhvilloi për 19 ditë me radhë protesta dhe një grevë urie. "Ata që mendojnë se në këtë takim është dhënë ultimatum, duhet ta studiojnë mirë politikën dhe të shohin se në cilat rrethana aplikohen ultimatumet", tha Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë, duke theksuar se "doktrina e ultimatumeve është e papajtueshme me dialogun dhe kompromisin". Ai garantoi se nuk ka pasur në mënyrë kategorike dhe absolute asnjë ultimatum, pasi "në një vend të lirë dhe me një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, nuk mund të imagjonoj kush të japë ultimatum". "Çdo interpretim i kësaj natyre është thellësisht primitiv. Ne jemi një qeveri legjitime, që u zgjodh nga zgjedhjet më të lira dhe të ndershme në historinë e vendit, të cilat kanë plotësuar standardet kryesore të OSBE/ODIHR-it. Atyre që flasin për ultimatume dhe që e qarkullojnë me kaq pasion këte gjë, i ka ngelur ora në kohërat më të vështira të këtij vendi", tha Kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë informoi se "në këtë tryezë janë diskutuar opsione për zgjidhjen e situatës, ku ka spikatur në mënyrën më të qartë vendosmëria për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit". Sipas tij në tryezë u kërkua vendosja e dialogut ndërmjet forcave politike për të studiuar të gjitha hapësirat e mundshme dhe për të arritur në një zgjidhje të ndershme, por jashte çdo lloj konteksti ultimativ. Qeveria, tha Kryeministri, "ka detyrime konstante morale ndaj opozitës dhe kjo është normale". Sipas tij, mbi bazën e këtij sensi përgjegjësie është ofruar vullneti për të marrë pjesë në komision. "Nuk ka detyrim, por qëndrim moral ndaj opozitës", theksoi Berisha. Pasi e vlerësoi takimin e Strasburgut "qartësisht pozitiv", Kryeministri tha se "miq të Shqipërisë më ftuan mua dhe z. Rama për të shqyrtuar problematikën. Unë shkova dhe shkoj pa asnjë lloj problemi, pasi kundërshtarin nuk e marr për armik", u shpreh kreu i qeverisë. /k.sh/
KOMENTE