English

Berisha: Tekste të përbashkëta mësimore me Kosovën

Tiranë, 26 maj, NOA - Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë tekste të përbashkëta mësimore. Kryeministri Berisha ka mbështetur idenë e njësimit të teksteve mes dy vendeve gjatë takimit që zhvilloi sot me një delegacion të Komisionit të Arsimit dhe të Shkencës të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Ne duhet të shkojmë drejt teksteve të përbashkëta, me përmbajtje të njësuara, pasi të vërtetat janë një dhe detyra e shkencës është t’u heqë pluhurin dhe mykun e së kaluarës e t’i bëjë ato të shndrisin”, - tha Berisha.

Veç kësaj, Berisha u shpreh se mes Shqipërisë dhe Kosovës, nuk duhet të ketë dallim për askënd se ku studion.

“Ne do të bëjmë të mundur që çdo i ri apo e re, që mbaron shkollën e mesme, të ketë të hapura dyert për të shkuar në universitet; t’u hapim atyre rrugët e dijes dhe tregu vendos më pas për punësimin. Kemi bërë përparime të mëdha në këtë drejtim dhe ende kemi për të bërë. Po trefishojmë numrin e studentëve krahasuar me katër vjet më parë dhe ende do ta rritim” shtoi kryeministri Berisha.

Kreu i qeverisë u shpreh se mes dy Ministrive të Arsimit duhet të ketë më shumë bashkëpunim.

Drejtues të delegacionit nga Kosova, falenderuan kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe fjalët inkurajuese për zhvillimin e arsimit.

m.xh/NOA

KOMENTE