English

Berisha Tungland: Projekti i gazit “Tap Ag”, i mirëpritur në Shqipëri

Tiranë, 26 Maj, NOA – Kryeministri Berisha priti sot në takim një grup përfaqësuesish të projektit të madh të gazit “Tap Ag”, që kalon edhe në Shqipëri, të kryesuar nga drejtori i projekti Kjetil Tungland.

Ky i fundit e informoi kryeministrin shqiptar mbi zhvillimet e fundit për këtë projekt shumë të rëndësishëm gazi, duke theksuar veçanërisht suksesin e negociatave dhe rezultatet e arritura me vendet pjesëmarrëse në këtë projekt si Norvegjinë, Zvicrën, Italinë, Turqinë, Greqinë, Gjermaninë, Azerbajxhanin.

Ai përmendi si shumë të rëndësishëm faktin që grupeve të përfshira në këtë projekt, Statkraft, EGL, iu shtua edhe një partner i tretë shumë i rëndësishëm, kompania gjermane E.ON Ruhrgas dhe se ishin në negociata edhe me partnerë grekë.

“Kompleksiteti i këtij projekti dhe shtimi i partnerëve ndërkombëtarë, - tha Tungland, - rrit sigurinë dhe garancinë e suksesit të projektit”.

Partneri gjerman i shtoi këtij grupi Knou-hou edhe aftësitë teknike dhe menaxhuese që përfaqëson kompania gjermane, duke thënë se Memorandumi i Mirëkuptimit, i sapo nënshkruar me Shqipërinë, u shtohet marrëveshjeve që po bëhen me të gjitha vendet, ku kalon projekti.

Ai theksoi se shpejtësia, me të cilën po ecet, është një shenjë e rëndësishme dhe e dukshme e faktit që ky projekt i furnizimit me gaz është bërë shumë konkurrues dhe prioritar në tregun europian.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha falënderoi Tungland për informacionin dhe i siguroi ata që mbështetja e qeverisë shqiptare, si vend i përfshirë në këtë projekt dhe përfitues prej tij, do të ishte e vazhdueshme dhe e garantuar.

“Shqipëria, - tha kryeministri, - do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht këtë projekt dhe të marrë pjesë në diskutimet dhe marrëveshjet dypalëshe me vendet fqinjë apo shumëpalëshe”.

n.e/NOA

KOMENTE