Borchardt:Zgjidhja E Krizës Politike, Transparente Dhe Kushtetuese
E
TIRANE, 26 Maj/ ATSH, A.Gegvataj/ - Ambasadori Gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt u bëri sot thirrje krerëve politikë në vënd, që zgjidhja e ngërcit politik duhet të bëhet në kuadrin e transparencës dhe në bazë të Kushtetutës.
Ambasadori Borchardt duke deklaruar se Bashkimi Evropian është i shqetësuar për situatën politike në Shqipëri, dhe se pret një zgjidhje nga të dyja palët.
"Ne do të përshëndesim çdo zgjidhje e cila përputhet me transparencën dhe kushtetueshmërinë ", theksoi ai.
Ambasadori Borchardt nënvizoi se "Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm në afrimin e saj të mëtejshëm me BE dhe se pritshmëritë e larta të Shqipërisë ndaj BE nuk duhet të cënohen nga problemet e pazgjidhura politike në vënd. Kështu e kam kuptuar deklaratën e Parlamentit Evropian dhe atë të Komisionerit për zgjerim në BE, Stefan Fyle ", shtoi më tej ai.
Deklarata e Ambasadorit Gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes me drejtoren e "AKSES Albania", Marjana Papa për vazhdimin e projektit "Për një administratë publike të qëndrueshme dhe profesionale".
Gjatë vitit 2010 me mbështetjen financiare të Qeverisë Gjermane, në vlerën prej 24.000 euro, AKSES do të vazhdojë monitorimin në 15 institucione të qeverisjes qendrore, që përfshijnë edhe një pjesë të rëndësishme të shërbimit civil në vënd./n.m/