Tiranë, 26 maj, NOA - Partia Socialiste reagoi sot për mos dënimin e zyrtarëve që dyshohet se kanë kryer korrupsion. Duke ju referuar raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, deputeti Erion Braçe u shpreh se krimi financiar vazhdon të mos gjykohet.
“Dje, Prokurorja e Republikës ka quajtur skandalin e rrugës Rrëshen Kalimash, “çështje të ezauruar”. Në fakt kjo është një çështje e ezauruar, kjo është çështje pagjykuar!E hetuar si krim, por i pandëshkuar, sepse është krim i politikës”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste.
Ai shtoi se ky krim i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 235 milionë euro. “Për të qenë më të qartë, për të qenë më të kuptueshëm për të gjithë shqiptarët, për 3 milionë shqiptarë: ky krim kushton 78.3 euro çdo shqiptar, qoftë ky i moshuar apo fëmijë”, tha Braçe
Nga ana tjetër Braçe ka shtuar se “në dokument zyrtarë, kemi prova të reja për të kërkuar hetim të ri për këtë krim të pagjykuar deri tani”.
Sipas tij krimi ka dy vite që konsumohet. “Kur Prokuroria njoftoi vlerën e dëmit të këtij krimi, kostoja për 1 km të ndërtimit të kësaj rruge ishte 6,9 mln euro, deri në fund të prillit, po prapë sipas dokumenteve zyrtare dhe tabelave fiskale të Republikës së Shqipërisë, kostoja e paguar për 1 km në rrugën Rrëshen - Kalimash, ka arritur në 14,4 mln euro!”, u shpreh Braçe.
m.xh/NOA